• Korça

Ortodoksët kremtojnë Pashkën. Besimtarët pritën në mesnatë ngjalljen e Krishtit

Në Katedralen “Ngjallja e Krishtit” në Korçë është mbajtur mesha e shenjtë e Pashkës. Besimtarë të shumtë kanë mbushur sheshin para Katedrales për të ndjekur meshën, e cila drejtohej nga Mitropoliti i Korçës Hirësia e Tij Imzot Joan Pelushi.

Mesha e shenjtë e vigjiljes të Pashkës, është mbajtur në të gjitha kishat ortodokse të Korçës me ritet përkatëse. Duke nisur kremtimi i Pashkës Ortodokse Mitropoliti i Korçës Hirësia e Tij Imzot Joan Pelushi, në mesazhin e tij theksoi se ngjallja e Krishtit është një premtim se fitorja finale i përket së mirës dhe jo të keqes. “Përjetimi i Ngjalljes do të na japë kurajë dhe forcë për të mbajtur kryqin e Krishtit në jetën tonë, i cili është i vetmi çelës që hap derën e Ngjalljes” ka thënë në mesazhin paskal Mitropoliti i Korçës.

Ceremonia që zgjati deri pas mesnate vazhdoi me ritualin e thyerjes së vezëve të kuqe, me ngjyrën e gjakut të Krishtit, simbol i ripërtëritjes, ashtu sikurse një jetë e re del nga lëvozhga e vezës. Në fund të meshës, besimtarët u kujdesën të marrin flakën e shenjtë, me besimin për të çuar në shtëpitë e tyre dritë dhe mirësi. RTSH Korça i uron të gjithë besimtarëve gëzuar Pashkën!

Lini një Përgjigje

Adresa juaj email s’do të bëhet publike. Fushat e domosdoshme janë shënuar me një *