Shkolla e mesme teknike ekonomike “Isuf Gjata” në Korçë, në vazhdim të fushatës “Informojmë çdo nxënës”, me qëllim afrimin e tyre drejt arsimit profesional, ka mirëpritur këtë të enjte nxënësit e klasës së 9-të të shkollës së fshatit Belorta. Gjatë kësaj vizite nxënësit janë njohur me drejtimet e studimit që kjo shkollë ofron si dhe avantazhet e arsimit profesional. Gjithashtu ata kanë vizituar edhe ambientet e klasave dhe kabineteve të praktikave profesionale.
Kjo vizitë iu ka shërbyer nxënësve të klasës së 9-të të shkollës së Belortasë për të mësuar më shumë mbi mundësitë e studimit dhe ato të punësimit që ofron shkolla “Isuf Gjata”, për ta parë atë si alternativën e duhur për të vijuar studimet e tyre.
Gjatë kësaj vizite nxënësit janë ndalur edhe tek kabinetet e shkollës, duke parë konkretisht aftësitë profesionale që kanë fituar nxënësit që ndjekin studimet pranë kësaj shkolle. Irisa një prej nxënëseve të klasës së 11-të të drejtimit Hoteleri-Turizëm, na tregon arsyet pse ka zgjedhur këtë shkollë, duke dhënë edhe një mesazh për të gjithë nxënësit e klasave të 9-ta që të zgjedhin arsimin profesional, për të qënë më pranë tregut të punës.
Shkolla e mesme teknike ekonomike “Isuf Gjata” në Korçë, ofron disa drejtime studimi, si hoteleri-turizëm, teknologji ushqimore, shërbime social shëndetësore, tekstil konfeksion dhe ekonomi biznes. Aktualisht pranë kësaj shkolle ndjekin studimet 140 nxënës.