• Maliq

Nisin zahiretë e dimrit në Maliq. Amvisat e zonës fillojnë përgatitjen e produkteve që do konsumohen në dimër

Në zonën e Maliqit  duket se ka ardhur koha për zahiretë e dimrit. Pasi kanë siguruar miellin e ri nga të korrat e këtij sezoni, amvisat kanë nisur me përgatitjen e zahireve. Petkat, dromkat, tërhani i ëmbël dhe i thartë janë produktet e para që janë duke u përgatitur aktualisht në këtë zonë. Një traditë e ruajtur brez pas brezi dhe e trashëguar me kujdes nga nënat dhe gjyshet e kësaj zone, vijon të sjellë këto ushqime që janë sa të shijshme, aq edhe të shëndetshme për të gjithë. Zonja Vergjinush Lipo nga fshati Pocestë i Bashkisë Maliq na tregon se i ka gati për konsumim zahiretë e para të këtij sezoni.

Gjithçka nga oborri i shtëpisë, produkte te freskta dhe bio që rruhen me kujdes për t’u konsumuar gjatë gjithë stinës të dimrit. Në muajin shtator vjen radha e turshive, kompostove apo e reçelrave të ndryshëm, të gjitha këto të përgatitura me perimet dhe frutat e rritura në oborrin e shtëpisë. Zonja Valentina Gjoni nga fshati Klocë i Bashkisë Maliq na tregon se perveç zahireve që i ruan çdo vit, ajo përgatit gjithmonë vetë dhe bukën e përditshme me miellin cilësor të vendit dhe me recetën e vjetëe te përdorur tradicionalisht nga gjyshet dhe nënat e kësaj zone.

Në prag të stinës së së vjeshtës, shtëpitë e kësaj zone mbushen plot nga zahiretë të cilat rruhen në vende pa dritë dhe të fresketa.  Çdo vit amvisat sigurohen qe familjeve të tyre të mos u mungojë asgjë ndaj gushti dhe shtatori janë muajt qe ato nxitojnë te përgatisin gjithçka.

Lini një Përgjigje

Adresa juaj email s’do të bëhet publike. Fushat e domosdoshme janë shënuar me një *