Kanë nisur ditën e sotme regjistrimet në 32 programet e studimit Bachelor dhe programet profesionale 2-vjeçare në universitetin Fan Noli të Korçës. Pasi maturantët kanë parë listat e shpallura një ditë më parë me fituesit në çdo program studimi, sot janë drejtuar pranë Fakultetit të Ekonomisë te Qendra për Informimin e Studentëve ku kanë kryer regjistrimin në programet përkatëse. Mëngjesit e sotëm ka pasur një fluks të të rinjve të cilët kanë marrë informacionin dhe janë regjistruar në degë të ndryshme. Ata shprehen se kanë zgjedhur universitetin Fan Noli të Korçës për shkak të cilësisë së mësimdhënies por edhe afërsisë me shtëpinë e tyre.
Këtë vit interesi më i madh është për programet prioritare të cilat do të mbështeten nga qeveria me një bursë prej 40 mijë lekësh në muaj, por nuk mbeten pas edhe programet e tjera si infermieria, sportet apo programi i financës. Raundi i parë i regjistrimeve përfshin 7 faza 48 orëshe, duke filluar nga data 29 gusht – 11 shtator 2023.