Nesë lagështia e tejzgjatur e pranverës e fillimit të verës, në disa kultura bujqësore solli dëme, e kundërta ndodhi tek kultura e qepës. Prania e ujit në tokë bëri që prodhimi të jetë i mbarë dhe cilësor ndërsa tashmë fermerët në fushën e Maliqit kanë nisur vjeljen e tij. Nëse në vitet e kaluara, prodhimi ngelej stok dhe fermerët në mungesë të tregut, detyroheshin të hidhnin prodhimin në kanal, këtë vit paraqitet një situatë krejt e ndryshme. Ata janë të kënaqur edhe me shitjet pasi tregu nuk ka munguar dhe çmimi i tregtimit të qepës është në nivele të kënaqshme, duke mbuluar koston e prodhimit dhe siguruar edhe fitim për ta.
Deri në fund të muajit fermerët do të vijojnë me vjeljen e kultivarit forum që mbillet më herët ndërsa pas tij me vjeljen e kamberos, 2 kultivarë të cilët janë zgjedhur nga fermerët e fushës së Maliqit. Në këtë zonë, qepa kultivohet masivisht dhe këtë vit sipas të dhënave nga Drejtoria e bujqësisë dhe mbrojtjes së konsumatorit në bashkinë Maliq, fermerët kanë mbjellë 760 HA tokw, ndërsa zonat më potenciale për prodhimin e saj janë fshatrat e Njësive Pojan dhe Pirg.