Ka nisur sot Censi i Popullsisë dhe Banesave. Anketuesit do të trokasin në dyert e të gjithë qytetarëve, për të grumbulluar informacionin e nevojshëm, ndërsa puna në terren do të zgjasë për 6 javë, deri më 30 tetor. Grumbullimi i të dhënave do të bëhet në mënyrë elektronike, çka do të lehtësojë dhe përshpejtojë procesin e përpunimit të tyre.
Për qarkun e Korçës janë rekrutuar gjithsej 468 persona, anketues, mbikëqyrës dhe kontrollorë, ndërkohë që janë marrë të gjitha masat që ky proces të kryhet pa probleme edhe në zonat e thella ku nuk ka mbulim me internet.
Pyetësori përmban 100 pyetje që kanë lidhje me arsimimin, shëndetësinë, punësimin dhe kushtet e jetesës. Gjithashtu përfshin edhe pyetje rreth etnisë, besimit fetar dhe gjuhës, por këto janë pyetje të cilat nuk janë të detyrueshme për t’u përgjigjur.
Çdo qytetar e ka detyrim ligjor të japin informacionin e kërkuar, ndërsa refuzimi apo dhënia e informacionit të rremë është në kundërshtim me ligjin, dhe për këtë do të ketë penalitete. Censi i Popullsisë dhe Banesave 2023 është i 12-ti, që kur Shqipëria u shpall shtet i pavarur në vitin 1912, ndërsa numërimi i parë u krye në vitin 1923.