• Korça

Nis festivali “Shpirti i ballkanit”. Ansamble të ndryshme nga vendet ballkanike bëhen bashkë në Korçë

Festivali Folklorik Ballkanik “Shpirti i Ballkanit”, i cili bën bashkë ansamble nga disa shtete, ka çelur siparin në Korçë. Vallet dhe këngët folklorike të Shqipërisë, Maqedonisë së Veriut, Greqisë dhe Bosnjë-Hercegovinës janë bërë bashkë në këtë edicion të 5-të të këtij festivali, duke sjellë shpirtin tradicional të ballkanit. Në natën e parë të tij, ansamblet parakaluan tek sheshi para teatrit për të vijuar përgjatë zonës këmbësore deri tek Katedralja e qytetit, ku më pas kanë performuar. Për organizatorët, ky festival vjen me qëllim pasqyrimin e vlerave që mbart folklori si dhe për të përcjellë mesazhin se arti i kapërcen kufijtë.

Nata finale e këtij festivali, do të mbahet tek teatri “Andon Zako Çajupi”, ku ansamblet pjesëmarrëse do të konkurrojnë mes njëri-tjetrit me valle e koreografi të ndryshme nga vendet që përfaqësojnë ndërsa performance më e bukur, do të vlerësohet me çmimin fitues.  Festivali Folklorik Ballkanik “Shpirti i ballkanit” vjen si një organizim i bashkisë Korçë dhe Qendrës së Artit dhe Kulturës.

Lini një Përgjigje

Adresa juaj email s’do të bëhet publike. Fushat e domosdoshme janë shënuar me një *