Prej ditës së sotme qytetarët nuk mund të drejtohen më pranë zyrave të Kadastrës, pasi çdo shërbim që ofrohet prej saj tashmë është i dixhitalizuar. 71 shërbime do të merren vetëm online përmes platformës e-albania, çka është edhe një nisje e reformës së kadastrës. Një gjë e tillë është lajmëruar përmes një dalje publike nga kryeministri Edi Rama dy ditë më parë, i cili madje u ka kërkuar edhe falje qytetarëve për të gjitha problemet që kanë hasur në kadastër. Por qytetarët ende shfaqin pasiguri për përdorimin e portalit e-albania duke u shprehur se moshat më të mëdha e kanë të vështirë marrjen e shërbimeve online.
Nga ana tjetër kryeministri Rama ka paralajmëruar edhe rritje të konsiderueshme të pagave për punonjësit e Kadastrës. Në ndryshimet e bëra deri më tani është automatizuar proçesi, duke mënjanuar ndërhyrjet e punonjësit të Kadastrës. Një tjetër risi është “Fast Track”, për shërbime më të shpejta. Shumë shpejt do të nisë edhe implementimi i Kadastrës 3D që do tu vijë në ndihmë zonave urbane, ku ka dendësi të madhe të popullsisë.