Pas arrestimit, Alda Klosi, të besuarës së ish-ministrit të Financave dhe Rindërtimit si dhe ish-zv/kryeministrit të Shqipërisë, Arben Ahmetaj i është sekuestruar një apartament dhe një garazh, ndërsa janë nën verifikim të gjitha pasuritë e saj.
“Specialistët e Seksionit për Hetimin e Pastrimit të Parave dhe Asetet Kriminale në DVP Tiranë, në zbatim të urdhrit të Prokurorisë së Rrethit Gjyqësor Tiranë, për ekzekutimin e vendimit penal të Gjykatës së Shkallës së Parë Tiranë, sekuestruan pasuri të palujatshme në pronësi të shtetasit A. K., konkretisht një apartament dhe një garazh në rrugën “Kongresi i Lushnjës”. Materialet i kaluan Prokurorisë, për veprime të mëtejshme procedurale“, njofton policia
Alda Klosi është vënë në hetim për tre akuza, mes të cilave dhe ajo e “Pastrimit të produkteve të veprës penale”, por sipas të dhënave që nga momenti i arrestimit e deri më tani Klosi nuk ka pranuar të flasë për çështjen. Klosi u vu në pranga më 3 shkurt pas dëshmisë së Rozeta Dobit, pastruesja e cila i vodhi 120 mijë euro në shtëpi. Në dëshminë para grupit hetimor ajo deklaroi, se gjithçka ishte planifikuar nga vetë Klosi për të përfshirë bashkëshorti e saj, çka solli edhe arrestimin e Alda Klosit.
/rtsh.al/