Ndahet nga jeta në moshën 74 vjeçare mjeshtri i këngës popullore leskoviqare Dhimitraq Joti. Ai lindi në Leskovik në vitin 1949 në një familje me tradita në fushën e muzikës popullore. Që fëmijë është aktivizuar me këngën popullore kolonjare dhe me kalimin e viteve Joti u bë i njohur si këngëtar kryesor me Sazet e Leskovikut. Pjestar në shumë Festivalet Folklorike Kombëtare të Gjirokastrës, ku është vlerësuar me shumë çmime. Një ndër miqtë dhe kolegët e tij Aleks Xhelili, thotë se ndarja nga jeta e Dhimitraq Jotit është një humbje e madhe për muzikën tonë popullore, por me kontributin e tij ndër vite, ai ka lënë një thesar të çmuar për brezat e ardhshëm.
Dhimitraq Joti ka marrë pjesë përherë në organizimet e Qendrës Kombëtare të Veprimtarive Tradicionale në edicionet e Festivalit Folklorik Tipologjik Kombëtar të Sazeve Popullore. Në vitin 1978 Dhimitraq Joti është shpallur Laureat dhe është nderuar me medaljen “Naim Frashëri” i klasës së II-të. Së fundmi nga Bashkia e Kolonjës është shpallur “Qytetar Nderi” i saj. Stafi i RTSH Korça, u shpreh ngushëllime të afërmve, miqve, bashkëpunëtorëve dhe artistëve popullorë për humbjen e tij të parakohshme.