“Natyra në Art. Rasti i Qipros” ka qenë ekspozita e çelur mbrëmë në mjediset e Muzeut Kombëtar të Artit Mesjetar në Korçë. Nëpërmjet formave dhe trajtimeve të ndryshme si mozaikët, afresket, ikonat, kjo ekspozitë tregon mbi vitalitetin e artit bizantin, duke pasqyruar edhe rrjedhën historike të Qipros prej periudhës romake të vonë, vitet e para të Kristianizmit, periudhën e mesme Bizantine si dhe sundimin Latin të ishullit nga shek 12 deri në vitin 1571. Ekspozita na jep këndvështrime të ndryshme mbi natyrën dhe krijimet artistike në artin Bizantin të Qipros.
Ekspozita u realizua nga Muzeu Kombëtar i Artit Mesjetar, në bashkëpunim me Shoqërinë e Studimeve Bizantine në Qipro, me mbështetjen e Qendrës Europiane të Monumenteve Bizantine dhe Post-Bizantine në Selanik, Greqi dhe Ministrisë së Kulturës, duke u prezantuar për publikun artdashës në Korçë në kuadër të ditëve të Europiane Trashëgimisë Kulturore. Gjithashtu është prezantuar edhe një studim dhe hulumtim mbi aplikimin në Artin Figurativ të natyrës në epokën Bizantine, prej periudhës së hershme Bizantine deri në periudhën e fundit Bizantine në shek. e 15-të.