Artisti, regjisori dhe shkrimtari Edmond Budina ka promovuar në Korçë librin e tij të fundit “Nata e zjarrit të bardhë”. Një roman që sjell një rrëfim unik në formën e një metafore, ku personazhet e madje dhe objektet, sillen midis ëndrrës dhe zhgjëndrrës e kontrasteve të thella simbolike. Autori shprehet se ngacmimi për të shkruar këtë roman ka qënë realiteti shqiptar, por mbi të gjitha eksperienca që ka kaluar në mbrojtje të Teatrit Kombëtar. Ngjarjet në libër sipas Budinës janë të trilluara, por shtysa ka qënë pikërisht kjo ngjarje që e ka bërë të tregojë realitetin shqiptar ashtu siç është, në të vërtetën e tij të mirë dhe të hidhur njëkohësisht.
Veprimtaria letrare për promovimin e romanit është organizuar nga Klubi i Shkrimtarëve “Bota e re” në Korçë në bashkëpunim me Fakultetin e Edukimit dhe Filologjisë.
Kjo veprimtari letrare e mbajtur në ambientet e Muzeut Kombëtar të Arsimit, është shoqëruar me interpretime skenike, lexime nga libri dhe interpretime letrare nga dashamirës të librit, shkrimtarë të klubit “Bota e re” dhe pedagogë të universitetit “Fan Stiljan Noli”.