• Korça

Nata e dytë e ALBAMONO-s/ Ngjitet në skenë aktorja polake Malgorzata Bogdanska

Në natën e dytë të festivalit ndërkombëtar të monodramës ALBAMONO është vënë në skenë shfaqja “Signor Fellini, Lei non mi piace” interpretuar nga aktorja polake Malgorzata Bogdanska. Kjo histori e shkruar dhe vënë në skenë nga regjisori Marek Koterski, mbi jetën e Giulietta Masina, interpretuar me ironi dhe pasion nga bashkëshortja e tij, ka marrë pjesë edhe në festivale të tjera. Për aktoren polake kjo është një monodramë teatrale e frymëzuar nga jeta e Giulietta Masina që bëhet pretekst për të parë një grua universale, të përjetshme, besnike që humbet në dashuri për burrin e saj brilant, por jobesnik Federico Fellini. Në këtë vepër sipas saj regjisori Koterski nxjerr në pah Giulietta-n si grua, një grua që sakrifikoi gjithçka për dashurinë.

Kjo ka qënë nata e dytë e festivalit ndërkombëtar të monodramës ALBAMONO, i cili këtë vit vjen në edicionin e tij të 19-të. Të tjera shfaqje do të ngjiten në skenë edhe në ditët në vijim, teksa pasditen e kësaj të premteje në orën 19:00, në sallën e katedrales së Korçës do të interpretojë aktorja nga Izraeli Tania Kazanovski.  

Lini një Përgjigje

Adresa juaj email s’do të bëhet publike. Fushat e domosdoshme janë shënuar me një *