Në një kohë kur mjetet e transportit janë me shumicë, profesioni i Nallbanit ose i njohur ndryshe si mbathja e kafshëve sa vjen e po zhduket. Megjithatë në fshatra vijon të ekzistojë. Patkoi është elementi kryesori cili i jep kuptim profesionit të nallbanit. Është një pllakë e hollë prej metali, e punuar ose e kthyer si hark në madhësinë e thundrës së kafshëve, me të cilën mbathet kali apo mushka. Një ndër të paktët nallbanë në Qarkun e Korçës por edhe në të gjithë vendin e gjejmë në fshatin Pojan të Maliqit. Me mikrofonin e RTSH Korçës kemi shkuar në punishten modeste të 67 vjeçarit Gurkazi Xhemali, ambient në të cilin çdo ditë dëgjohet e njëjta trokitje çekani dhe goditje gozhde si nje melodi tradicionale e hershme. Ai ka gjithë jetën që merret me këtë profesion ku mes pasionit dhe dashurisë për punën ai siguron edhe të ardhura për familjen e tij.
Përshtypjet e lëna prej vitesh kanë krijuar një klientelë besnike tek punishtja e tij. Edhe pse në zhdukje përsëri ka bujq e fermerë të cilët shkojnë tek Gurkaziu duke qënë të sigurt për punën dhe profesionalizmin e tij.
Profesioni i Nallbanit është i herëshëm në Shqipëri dhe ka qënë i përhapur në të gjithë vendin tonë. Por në ditët e sotme njerezit që ushtrojnë këtë profesion numërohen me gishtat e dorës. I tillë është edhe gurkaziu i cili vijonj traditën e mbathjes tradicionale të kafshëve me patkonj.