Mbi 13 mijë vizitorë janë ndalur gjatë këtij viti tek Muzeu Kombëtar i Artit Mesjetar në Korçë, për t’u njohur me pasurinë që ai mbart. Ky muze ka një fond të pasur prej gati 8 mijë objektesh të ndryshme ku ndër më të vecantat janë ikonat. Koleksioni i tyre është më i madhi në numër dhe më interesanti në vlera historike, fetare dhe artistike në Shqipëri e më gjerë ndaj dhe interesi për t’u njohur me to, ka qenë i lartë, kjo falë edhe mënyrës së veçantë të ekspozimit të tyre.
Drejtorja e Muzeut Fjoralba Prifti bën me dije se së fundmi, ky muze është vizituar nga një grup zyrtarësh të lartë të shoqëruar nga Ambasadorja e Shqipërisë në misionin e OSBE-së në Vieë Eglantina Gjermeni.
Korça është kthyer tashmë në një destinacion turistik të rëndësishëm duke shfrytëzuar dhe turizmin kulturor. Kjo për vetë faktin se në këtë Qark, ka një pasuri të madhe në fushën e trashëgimisë kulturore, ku numërohen 169 monumente që i përkasin kategorive të ndryshme, ndër to dhe muzeumet.