Banorët e Maliqit marrin shërbimin shëndetësor vetëm nga dy mjekë të përgjithshëm të cilët ndodhen pranë të vetmes qendër shëndetësore në këtë qytet. Përveç tyre në këtë ndërtesë nuk ka asnjë mjek pediatër çka bën që pjesa më e madhe e banorëve të drejtojnë sytë te privati. Edhe pse kjo bashki ka rreth 65 mijë banorë, prej vitesh shërbimi shëndetësor le për të dëshiruar.
Kjo mungesë bën që në rastet e urgjencave si banorët e Maliqit ashtu edhe ata të fshatrave të kësaj bashkie ti drejtohen Korçës apo ndoshta edhe Tiranës për të përfituar shërbimin shëndetësor.
Në rastet e urgjencave vetëm një autoambulancë është në dispozicion edhe pse minutat dhe distanca që duhet për të arritur deri në Korçë mund të jenë fatale. Si të mos mjaftonte rreziku për shëndetin dhe jetën, edhe kostot financiare bien mbi banorët.