Policia Kufitare ka goditur dy raste të mosdeklarimit në kufi duke sekuestruar mallra kontrabandë dhe para. Në aksin rrugor Pustec Korçë është finalizuar operacioni Skip për goditjen e kontrabandës së mallrave duke u kapur 2 shtetas duke transportuar me dy automjete mallra ushqimore të kontrabanduara. Gjithashtu nën pranga është vënë edhe një doganier i Pikës Doganore Goricë, si dhe procedohet penalisht një punonjës i Policisë Kufitare Goricë, pasi dyshohet se shpërdoruan detyrën, duke lejuar kalimin e mallrave, në mënyrë të paligjshme. Specialistët e strukturave hetimore të DVP Korçë, në vijim të punës për parandalimin, evidentimin dhe goditjen e veprimtarisë kriminale në fushën e kontrabandës me mallra, bazuar dhe në inteligjencën informative, organizuan dhe finalizuan me sukses operacionin policor të koduar “Skip”. Si rezultat i këtij operacioni u arrestuan në flagrancë shtetasit: O. Ç., 48 vjeç, banues në fshatin Orman, Maliq; R. O., 56 vjeç, banues në fshatin Rëmbec, Maliq; E. Ç., 62 vjeç, banues në Bilisht, Devoll, me detyrë doganier në Pikën Doganore Goricë. Shërbimet e Policisë pranë vendit të quajtur “Qafa e Zvezdës”, kanë ndaluar 2 automjete me drejtues shtetasit O. Ç. dhe R. O., në të cilat, gjatë kontrollit, u gjetën dhe u sekuestruan mallra të ndryshme ushqimore, pa dokumentacionin përkatës.
Nga veprimet hetimore rezultoi se këta dy shtetas i kishin kaluar këto mallra nëpërmjet Pikës Doganore Goricë, pa kryer veprimet përkatëse. Në vijim të veprimeve u arrestua në flagrancë edhe shtetasi E. Ç., me detyrë doganier në këtë pikë doganore, ndërsa Agjencia e Mbikëqyrjes Policore Korçë referoi materialet në Prokurori ku filloi procedimi penal për shtetasin P. B., 55 vjeç, banues në Korçë, me detyrë përgjegjës turni pranë Pikës së Kalimit Kufitar Goricë, pasi dyshohet se kanë shpërdoruar detyrën, duke favorizuar shtetasit O. Ç. dhe R. O., për të kaluar mallrat, në mënyrë të kundërligjshme. Një tjetër operacion policor është kryer në pikën e kalimit kufitar të Kapshticës aty ku janë sekuestruar15 580 euro dhe është proceduar penalisht poseduesi, i cili nuk i deklaroi në kufi, siç e përcakton ligji.
Shërbimet e Stacionit të Policisë Kufitare Kapshticë, në bashkëpunim me FRONTEX-in dhe autoritetet doganore, në vijim të punës për parandalimin dhe goditjen e paligjshmërisë, në kuadër të kontrolleve të shtuara, në dalje të Republikës së Shqipërisë, gjatë kontrollit të imtësishëm, në valixhet e shtetasit L. S., 30 vjeç i cili ishte pasagjer në një autobus, banues në Manëz, Durrës, gjetën 15 580 euro, të cilat ai nuk i kishte deklaruar në kufi, siç e përcakton ligji. Shuma e eurove u sekuestrua në cilësinë e provës materiale. Veprimet e mëtejshme procedurale u kryen nga strukturat hetimore të DVP Korçë, të cilat referuan materialet në Prokurori dhe filloi procedimi penal për 30-vjeçarin.