Një “San Siro” i mbushur përtej kapacitetit dhe i stolisur me një koreografi të jashtëzakonshme të tifozerisë kuqezi, ka qenë arena më e spikatur e kësaj mesjave të Ligës së Kampioneve, teksa në ekranin e Rrjetit të Radio-Televizionit Shqiptar, bashkë me emisionin e posaçëm, ka ardhur derbi i parë italian i veprimtarisë më prestigjioze e klubeve të Evropës, ai midis Milanit dhe Napolit, i vlefshëm për fazën çerekfinale.
Dhe takimi i parë midis kampiones në fuqi dhe asaj që, me shumë gjasa, do ta pasojë në fronin e Serisë A, ka parë napolitanët që kishin nxjerrë mësime nga ajo humbje 0-4 në fushën e vet 10 ditë më parë përballë kuqezinjve dhe skuadra e Spaletit ka bërë një vëllim më të madh loje dhe e ka synuar më tepër portën kundërshtare.
Por Milani i ka bërë ballë trysnisë, edhe falë instinkteve të gardianit francez të portës së saj, duke kërkuar ta godasë kundërshtarin me kundërsulm dhe, pasi Leao nuk i ka gjetur me herët koordinatat e duhura të katërkëndorit të Napolit, këtë do ta bëjë 5 minuta para fundit të pjesës së parë Bennaseri, i cili përshëndet rrjetën dhe kalon Milanin në epërsi.
Edhe pse Milani do të kërkojë golin e dytë dhe vetëm shtylla horizontale e portës do ta shpëtojë Napolin pas një goditjeje me kokë të Kjaerit, pjesa e parë do të mbyllet me epërsinë minimale të kuqezinjve. Ajo e dyta do të shohë vendasit të luajnë me sigurinë që u jep goli, përballë Napolit që nis të ndjejë lodhjen dhe peshës e disavantazhit.
Dhe, sikundër të mos mjaftonte kjo, dy kartona të verdhë brenda 3-4 minutash i kanë kushtuar Anguisasë një karton të kuq, duke e lënë skuadrën mike me 10 lojtarë për 17 minutat e mbetura të kohës së rregullt, që kanë parë Milanin të shtyjë për të gjetur edhe një gol tjetër. Megjithëse Napoli ka besuar deri në fund dhe e ka vënë në vështirësi portierin Menjon, Milani e ka mbrojtur fitoren minimale në fushën e vet.