Istref Haxhillari gjithë jetën e tij ka qenë mësimdhënës për shkencat e ekzakte, por profili i profesionit nuk e ndaloi të futej në fushën e gjuhës dhe Letërisë. Duket e çuditshme por ky mësues fizike është botues i disa romaneve të cilat në përgjithësi i flasin jetës, dashurisë endjenjave njerzore, të cilat autori i përfytyron në libra krejt ndryshe nga realitieti që jetojmë.
“Kënga e Zogut të Parajsës” është një poemë e shkruajtur në gjuhën e prozës, një poemë për dashurinë, për jetën, për guximin, ndoshta edhe për moralin. Unë e përfytyroj botën pak ndryshe nga realiteti, në këtë libër ka një realitet që ndryshon nga ai që jetojmë zakonisht, është një realitet ku disa gjëra që e ngatërrojnë, janë eliminuar ose minimizuar siç është paragjykimi, mosmirënjohja etj. Unë përfytyroj një botë ku jeta njerzore të jetë më e lirë nga pranga të tilla që historikisht ja kanë vendosur”.
Por si u kthye mësuesi i fizikës në një romancier ku i flet ndjenjës së bukur të dashurisë. Një ngjarje reale sa makabre aq edhe treguese ndjenjash ka qenë muza e tij për këtë fushë.
“Si indicie e librit është një ngjarje e shumë viteve më parë, një nga ngjarjet më të rënda që kam parë në jetën time. Një çift të dashuruarish, djali e vret vajzën dhe më pas godet veten. Unë kam qenë drejtor shkolle asokohe dhe momenti që kam fiksuar atëherë është se, ajo kishte vdekur ndërsa ai ishte në grahmat e fundit dhe kërkonte të dinte me sy nëse ajo kish vdekur apo jo.Ne nuk e kuptuam këtë, por një grua e kuptoi, ai vdiq me një buzëqeshje lumturie që unë nuk e heq dot nga mendja. Ai donte që në atë botë të ishte sërish me të. Kjo është forca e dashurisë që mua më ka motivuar gjithmonë ti kthehem pas asaj ngjarje e cila ka qenë indicie për çdo vepër që kam shkruar, frymëzim që më ka ngacmuar të shkruaj për dashurinë”
Istref Haxhillari është autori i 6 romaneve, 5 vëllime me tregime, 1 novelë dhe një libri për fëmijë.