• Korça

Mbyllet edicioni i 19-të i ALBAMONO-s. Çmimi i madh shkon për shfaqjen “Medea” nga Kazakistani

Festivali Ndërkombëtar i Monodramës “Albamono” edhe këtë vit solli për publikun artistë të huaj nga vende të ndryshme të botës. Të dielën ka qënë nata e fundit e këtij festivali, ku në skenë është ngjitur aktorja nga Izraeli Hadar Galron, duke sjellë një monodramë në të cilën aktorja e cila njëkohësisht është dhe bashkëautore e kësaj vepre, heton traumat dhe sfidat e brezit që ishin fëmijët e të mbijetuarve të Holokaustit.

Pas shfaqjes është mbajtur ceremonia e ndarjes së çmimeve. Organizatorët e festivalit nderuan me certifikata pesë anëtarët e jurisë, për vlerësimin e trupave pjesmarrëse të këtij edicioni. Çmimi i madh që mban emrin e aktorit dhe regjisorit “Dhimitër Orgocka” si themelues i këtij festivali, ka shkuar për shfaqjen “Medea” interpetuar nga aktorja Baibossynova Gulbahram, nga Kazakistani, dhe regji nga Dina Zhumabayeva. Kjo monodramë fitoi edhe çmimin për regjinë më të mirë. Ndërsa çmimi aktorja më e mirë shkoi për skenaristen, dramaturgen, komedianen dhe aktoren e njohur nga Izraeli Hadar Galron.

Edhe këtë vit festivali arriti qëllimet për të cilat është krijuar, ndarjen e eksperiencave mes trupave teatrore dhe promovimin e turizmit kulturor të rajonit të Korçës.

Kryetari i jurisë ka vlerësuar nivelin profesional të trupave teksa ka theksuar rëndësinë e mbështetjes nga ana e institucioneve për të mundësuar vazhdimësinë dhe rritjen e këtij festivali.

Ky ishtë edicioni i 19-të i Festivalit Ndërkombëtar të Monodramës i cili është një eksplorim bashkëkohor i mundësive teatrore, i kthyer tashmë në traditë. Në këtë edicion ishin në konkurrim gjashtë shfaqje, me pjesëmarrjen e trupave nga Kazakistani, Polonia, Spanja, Armenia dhe Izraeli.

Lini një Përgjigje

Adresa juaj email s’do të bëhet publike. Fushat e domosdoshme janë shënuar me një *