Zhvillimi i burimeve njerëzore për industrinë turistike të bashkive të Qarkut Korçë dhe mbështetja për trajnimin e të rinjve për nxitjen e krijimit të start-up të reja në disa fusha përfshirë dhe turizmin, ishin disa prej çështjeve në të cilat vuri theksin Prefekti i Qarkut Korçë Nertil Jole në mbledhjen e Komitetit Rajonal të Zhvillimit të Turizmit. Jole tha se synimi është rritja e numrit të turistëve, ndërsa bëri me dije se është hartuar dhe plani i masave për menaxhimin e sezonit turistik dimëror.
Nënkryetarja e bashkisë më të madhe të Qarkut, asaj të Korçës Benila Themeli, tha se një tregues pozitiv sa i takon turizmit, është fakti që në këtë fundvit, Korça është e gjitha e prenotuar.
Takimi me zyrtarët lokalë u mbajt në Qendrën e Zhvillimit Rajonal të inaguruar së fundmi në Korçë, falë një investimi të Qeverisë Shqiptare nëpërmjet Fondit Shqiptar të Zhvillimit.