• Korça

Mblidhet Këshilli Bashkiak Korçë. Miratohet buxheti shtesë për vitin 2023, mbi 194 milion lekë

Është zhvilluar këtë të enjte mbledhja e radhës e Këshillit Bashkiak Korçë, ku ndër të tjera është miratuar buxheti shtesë për vitin 2023. Të ardhurat e trashëguara të vitit 2022 të cilat do të jenë pjesë e buxhetit të këtij viti kapin shifrën e mbi 194 milion lekëve, prej të cilave mbi 62 milion lekë do të përdoren për të shlyer shpenzimet e vitit 2022 dhe mbi 132 milion lekë për realizimin e shpenzimeve të vitit 2023. Gjithashtu në këtë mbledhje është miratuar edhe lista emërore e familjeve që do të përfitojnë nga programi i strehimit social për “përmirësimin e kushteve të banimit për familjet e varfëra dhe të pafavorizuara”. Kryetari i bashkisë Korçë Sotiraq Filo është shprehur se ky program zbatohet prej disa vitesh në bashkinë e Korçës duke u ardhur në ndihmë komuniteteve në nevojë. Gjatë vitit 2022 janë rehabilituar gjithsej 12 banesa kolektive. Kryesisht sipas Filos është ndërhyrë në riparimin e çative. Këto ndërhyrje bëhen me financim të qeverisë shqiptare përmes Ministrisë së Financave dhe Ekonomisë në bashkëpunim me Bashkinë Korçë. Risi për këtë vit sipas kryebashkiakut do të jetë shtrirja e programit për përmirësimin e infrastrukturës së banesave për familjet në kushte të vështira ekonomike, edhe në njësitë administrative, ku në total janë planifikuar ndërhyrje në 28 banesa, 5 prej të cilave në fshatra dhe pjesa tjetër në qytet. Sipas kryebashkiakut miratimi i listës emërore të familjeve përfituese të këtij programi do të bëjë të mundur aplikimin për thirrjen e këtij viti, për ti hapur rrugën më pas zbatimit të tij në muajt në vazhdim. Gjatë kësaj mbledhjeje është miratuar gjithashtu ngritja dhe përbërja e komitetit këshillimor për dhënien e medaljeve dhe titujve vendor të nderit për Josif Minga, Pandi bello dhe Zhani Struga.

Lini një Përgjigje

Adresa juaj email s’do të bëhet publike. Fushat e domosdoshme janë shënuar me një *