Është zhvilluar këtë të enjte mbledhja e rradhës e Këshillit Bashkiak Korçë, ku janë diskutuar dhe miratuar projektvendimet e rendit të ditës. Ndër të tjera është miratuar vendimi për dhënien e ndihmës ekonomike nga 6% e fondit të kushtëzuar për bllok-ndihmën ekonomike dhe nga fondi i buxhetit vendor për muajin korrik të këtij viti. Një ndër projektvendimet e diskutuara në këtë mbledhje ka qënë ajo për miratimin e marrëveshjes për zhvillimin e projektit të zonës multifunksionale përreth kompleksit të stadiumit “Skënderbeu” në Korçë, përfshirë stadiumin, që do të nënshkruhet midis Ministrisë së Arsimit dhe Sportit, Bashkisë Korçë, Agjencisë Kombëtare të Planifikimit të Territorit si dhe Fondit Shqiptar të Zhvillimit.
Gjithashtu në këtë mbledhje të rradhës së Këshillit Bashkiak Korçë është miratuar lista e familjeve që përfitojnë grantin e menjëhershëm në banesat me kosto të ulët nga buxheti i shtetit si dhe vendimi për miratimin e subvencionimit të qerasë për familjet e pastreha si dhe wshtw dhënë informacion mbi ecurinë e realizimit të treguesve kryesorë të të ardhurave dhe shpenzimeve për periudhën janar-korrik 2023.