Maturantët i nënshtrohen këtë të hënë (19 qershor) Provimit me Zgjedhje, duke përmbyllur kështu ciklin e provimeve për vijueshmërinë më pas të Arsimit të Lartë.
30 mijë maturantët do të ulen sot në banka për t’iu nënshkruar testit të katërt, që nis në orën 10:00 dhe zgjat 2 orë e 30 minuta.
Më 1 qershor nxënësit e gjimnazeve iu nënshtruan provimit të Gjuhës së Huaj, më 7 qershor kryen provimin e Gjuhës Shqipe dhe Letërsisë dhe më 13 qershor dhanë provimin e tretë, atë të Matematikës.
Kujtojmë se tezat e tre provimeve të para për nxënësit e arsimit të mesëm, janë publikuar në rrjetet sociale, 30 minuta pas nisjes së testeve, ndonëse ministrja e Arsimit Evis Kushi ka deklaruar se publikimi i tezave të provimit nuk ka cenuar procesin.
Sakaq, një ditë më parë (18 qershor), Ministria e Arsimit përmes Qendrës së Shërbimeve Arsimore publikoi rezultatet e provimit të Gjuhës Shqipe dhe Letërsisë, ku vërehet se vetëm 5.73 për qind e maturantëve kanë mundur të marrin notën 10 në këtë provim. Ndërsa kalueshmëria është në 98.38%.
Po ashtu, për provimin e Gjuhës së Huaj kalueshmëria ka qenë 96% dhe me notën 10 u vlerësuan rreth 24% e maturantëve.