Policia e Shtetit ka njoftuar se përgjatë tre muajve të sezonit turistik veror, gjatë fundjavës dhe ditëve të festave, do të ketë kufizime për të gjitha kategoritë e mjeteve rrugore në qarkullim. Këto kufizime janë marrë në kuadër të masave të ndërmarra për mbarëvajtjen e sezonit turistik 2023, si dhe për monitorimin e qarkullimit rrugor drejt zonave bregdetare dhe turistike.
Ky vendim është marrë me qëllim krijimin e lehtësirave për lëvizjen e qytetarëve dhe të shtetasve të huaj që zgjedhin për të pushuar në Shqipëri, si dhe në zbatim të udhëzimit të përbashkët “Mbi kufizimin e qarkullimit të mjeteve të rënda për transport rrugor të mallrave, gjatë sezonit turistik dhe gjatë festave”. Me këtë vendim kufizohet lëvizja për mjetet rrugore për transportin e mallrave me peshë të përgjithshme të autorizuar, mbi 7500 kg, mjetet rrugore me ngarkesë të pandashme, me gjatësi maksimale më të madhe se 12 metra, mjetet rrugore bujqësore që kanë shpejtësi më të vogël se 40 km/orë, mjetet rrugore që kalojnë përmasat kufitare, sipas nenit 61 të Kodit Rrugor, si dhe mjetet rrugore që shërbejnë për kursantët e autoshkollave mësimore.
Kufizimet e lëvizjes së këtyrë mjeteve përfshijnë disa akse në të gjithë vendin, mes të cilave në qarkun e Korçës është aksi “Qafë Thanë-Lin-Pogradec-Tushemisht” dhe anasjelltas. Sipas policisë këto kufizime lëvizjeje parashikohen në ditët e fundjavës përfshi këtu të premten nga ora 15:00-22:00; të shtunën, nga ora 08:00-12:00 dhe nga ora 16:00-22:00; si dhe të dielën, nga ora 07:00-22:00. Policia e Shtetit kërkon mirëkuptimin e të gjithë qytetarëve dhe subjekteve që preken nga këto kufizime, që të zbatojnë me korrektesë masat kufizuese, me qëllim krijimin e lehtësirave të nevojshme për pushuesit vendas dhe ata të huaj, gjatë sezonit turistik 2023.