• Maliq

Maliq/ 62-vjeçari plagos gruan e djalin dhe nuk dorëzohet, ekzekutohet nga RENEA

Ramiz Muçllari, 62 vjeç, mbeti i vrarë, pasi refuzoi të dorëzohet dhe shkëmbeu zjarr me policinë lokale dhe forcat RENEA.

Muçllari plagosi me thikë bashkëshorten 58 vjeçe dhe djalin e tij 27 vjeç pas një konflikti të nisur mbrëmjen e së premtes në banesë. Konflikt i cili lindi për shkak të problemeve të shëndetit mendor që kryefamiljari refuzoi të kurohej. Pas plagosjes së dy familjarëve Policia shkoi në vendngjarje, ku konstatoi të mbyllur në banesën e tij autorin e dyshuar, të armatosur me një mitraloz të lehtë dhe i gatshëm të qëllojë drejt oficerëve. Pas mbërritjes së Forcave Speciale “RENEA”, u rrethua perimetri i banesës dhe u negociua për dorëzimin e Muçllarit, i cili vijoi të qëllojë pa pranuar thirrjet e vazhdueshme. Forcat “RENEA” mundën të hyjnë deri në katin e dytë të banesës, ku sërish u ndeshën me të shtënat e 62-vjeçarit. Si pasojë e shkëmbimit të zjarrit, 62 vjeçari mbeti i vrarë.

Në lidhje me ngjarjen e Maliqit, ka reaguar edhe ministri i brendshëm Taulant Balla i cili shprehu mbështetjen e tij forcave të policisë për operacionin e kryer teksa siguroi çdo grua apo vajzë se telefonata raportuese në policinë e Shtetit është vendimi i duhur për fitoren e ligjit mbi padrejtësinë dhe dhunën.

Mirënjohje forcave RENEA dhe atyre të Drejtorisë Vendore të Policisë Korçë për kryerjen e detyrës gjatë gjithë natës së mbrëmshme deri sot në mëngjes në Maliq edhe në kushtet e kërcënimit për jetën, sepse thirrjeve të Policisë së Shtetit, shtetasi që kërkohej të ndalohej, ju kundërvu me përdorimin e armës ndaj policisë. Në këto rrethana përcaktimet ligjore janë të qarta dhe Policia e Shtetit zbatoi Ligjin.

Dua ta siguroj publikun se çrrënjosja e dhunës ndaj grave dhe dhunës në familje është një detyrë kryesore. Çdo grua, çdo vajzë duhet të ketë besimin se telefonata e saj tek Policia është vendimi i duhur që sjell çlirimin nga makthi dhe fitoren e ligjit mbi padrejtësinë dhe dhunën.

Muçollari raportohet se vuante nga probleme të shëndetit mendor dhe një ditë më parë duhej të ishte shtruar në spital. Nga ana tjetër të dy familjarët ndodhen aktualisht në spitalin e Korçës, nën kujdesin e mjekëve.

Lini një Përgjigje

Adresa juaj email s’do të bëhet publike. Fushat e domosdoshme janë shënuar me një *