• Korça

“Lamtumirë Abetare”/ Aktivitet nga nxënësit e klasës së IB të shkollës 9-vjeçare “Stavri Themeli”

Nxënësit e klasës së IB të shkollës 9-vjeçare “Stavri Themeli” në qytetin e Korçës kanë sjellë një aktivitet festiv në skenën e teatrit “Andon Zako Çajupi” me rastin e përfundimit të këtij viti shkollor. Me interpretimet në këngë, kërcim dhe pjesë të ndryshme teatrore fëmijët kanë shpalosur talentet e tyre në fusha të ndryshme duke përcjellë emocione tek prindërit dhe të tjerë të pranishëm në sallë. Të ftuar specialë në këtë aktivitet kanë qënë edhe këngëtarët korçarë Bledi Polena, Sajmir Poda, Flavia Zere dhe Danjel Shaholli, që kanë shoqëruar fëmijët në interpretimin e disa prej këngëve më të njohura për fëmijë të muzikës shqiptare.

Fëmjët kanë interpretuar edhe pjesë të ndryshme nga komedia “Pallati 176” dhe filmi “Zonja nga qyteti”, duke risjellë kështu në kujtesë aktorët më të mirë të teatrit dhe kinematografisë shqiptare si Roland Trebicka, Vjoleta Manushi, Elida Janushi, Pandi Raidhi, Vasillaq Vangjeli, e të tjerë. Nuk kanë munguar edhe grimcat humoristike që kanë risjellë në vëmendje humorin dhe lojën e mrekullueshme të një prej personaliteve më të njohura të humorit shqiptar, Koço Devolen.

Gjithashtu fëmijët kanë sjellë edhe disa kërcime në këtë aktivitet. Nën udhëheqjen e koreografes Ermioni Sinollari, kanë përcjellë ritme të bukura ballkanase si dhe traditat e vendit tonë me kostume popullore.

Kjo shfaqje u realizua nën udhëheqjen artistike të këngëtares së njohur korçare Donika Zere, e cila punoi me korin e fëmijëve dhe së bashku me mësuesen Maria Zisi realizuan programin artistik të këtij aktiviteti.

Në fund të këtij aktiviteti të gjithë nxënësit morrën diplomat e përfundimit të klasës së parë. Ata kanë përcjellë dhe falenderime për organizatorët e këtij eventi dhe për mësuesen e tyre të parë, që me përkushtim e profesionalizëm ka hedhur bazat e para të jetës shkollore të këtyre fëmijëve.

Lini një Përgjigje

Adresa juaj email s’do të bëhet publike. Fushat e domosdoshme janë shënuar me një *