Nesër në kryeqytet luhet ndeshja finale e volejbollit të femrave Partizani-Skënderbeu, e vlefshme për Kupën e Shqipërisë. Korçaret pasi kanë fituar Kupën “Pavarsia” dhe Ligën “Gjergj Kastrioti”, këtë të shtunë kërkojnë trofeun e tretë sezonal, Kupën e Republikës. Në ligën “Gjergj Kastrioti” lojtaret e trajnerit Orlando Koja kanë fituar dy herë me Partizanin me të njëjtin rezultat 3-0. Nga ana tjetër volejbollistet e Partizanin kanë mundur Skënderbeun në kampionat duke u ngjitur në krye të renditjes. Të gjitha këto tregojnë se kjo finale do të jetë e rivalizuar në të gjitha setet, aq sa edhe trajneri Orlando Koja e ka të vështirë të thotë se cila prej këtyre dy skuadrave do të jetë fituese e kupës. Pas ligës “Gjergj Kastrioti” Koja pranon se skuadra ka një moral më të lartë dhe se ekipi është i gatshëm të luftojë deri në fund për të sjellë kupën në Korçë.
Ndeshja luhet të shtunë në sallën sportive të lojrave me dorë në Farkë, në orën 16:00. Ekipi i Skënderbeut i drejtuar nga trajneri Orlando Koja, shkon në këtë finale për të fituar Kupën e Shqipërisë për të tetën herë.