Ashtu si çdo vit edhe këtë 15 gusht do të përkujtohet në Makrëz të Vithkuqit përvjetori i krijimit të Brigadës së parë sulmuese partizane, Kjo datë e shënuar këtë vit përkujton 80-vjetorin e kesaj ngjarjeje, teksa ceremonia do të zhvillohet pikërisht aty ku ndodhet dhe memoriali përkujtimor, pranë të cilit bëhen bashkë anëtarë të Komitetit të Veteranëve të Lanç-it, organizatës së Familjeve të Dëshmorëve, anëtarë të Komitetit të Veteranëve nga Mallakastra, veteranë të luftës, anëtarë të familjeve të dëshmorëve, etj. Kryetari i Komitetit të Veteranëve të Lanç-it, Korçë, Tomor Asabella ka bërë një ftesë të hapur për të gjithë ata që duan të jenë të pranishëm në këtë përkujtim për të kujtuar dhe nderuar ata që nuk kursyen jetën për çlirimin e atdheut.
Kjo Brigadë partizane ishte një ndër formacionet më të rëndësishme të luftës kundër nazifashistëve dhe krijimi i saj u bë pikërisht në Makrëz të Vithkuqit, kjo edhe për shkak të pozicionit të favorshëm gjeografik dhe për faktin se Vithkuqi ishte tashmë një nga vatrat e lëvizjes nacional çlirimtare.