Personat me aftësi ndryshe të cilët frekuentojnë qendën ditore të zhvillimit “Atelie” në qytetin e Korçës, vijojnë të krijojnë punime të veçanta të cilat janë në shitje. Të ardhurat e grumbulluara nga shitja e tyre shërbejnë për blerjen e materialeve të tjera të domosdoshme për të krijuar sërish punime të tilla.
Në këtë qendër aktualisht përveç mësimeve që marrin për mënyrën sesi të mbajnë pastër higjenën e tyre, por dhe sesi të gatuajnë, janë edhe dy klasa pune ku personat me aftësi ndryshe realizojnë punimet e tyre. Ndër krijimet më të veçanta që ofron kjo qendër zhvillimi, janë pikturat, prodhime qirinjsh, punime me rruaza, gjergjef, punime me mjete të riciklueshme, kartolina, prodhim bizhuterish… etj.
Së fundmi qendra ka hapur edhe atelienë e hekurosjes dhe fton të gjitha bizneset e hotelerive, bujtinave apo edhe individë të ndryshëm në qarkun e Korçës, që të marrin këtë shërbim kundrejt një pagese simbolike, e cila do kalojë automatikisht në buxhetin e kësaj qendre dhe do përdoret për sigurimin e materialeve të punimeve në vazhdim.
Qendra ditore e zhvillimit “Atelie” në qytetin e Korçës ka hapur dyert e saj që në vitin 2002 dhe pranë saj marrin shërbim rreth 20 persona me aftësi ndryshe. Ata kanë mundësinë të mësojnë rreth zanateve të ndryshme dhe të shoqërohen me njëri-tjetrin, me qëllim integrimin e tyre në shoqëri dhe pse jo mundësinë për t’u punësuar në të ardhmen.