Projekti Korça riciklon është shtrirë edhe në tre lagje të tjera të qytetit kryesisht në banesat private. Ky është një projekt i nisur nga bashkia e Korçës tre vite më parë me qëllim ndarjen e mbetjeve që në burim nga vetë qytetarët, duke përzgjedhur mbetjet e riciklueshme të cilat futen në një qese të veçantë, për tu dërguar më pas për kryerjen e proceseve të riciklimit. Qytetarët e vlerësojnë këtë projekt duke u shprehur të vetëdijshëm për rëndësinë e riciklimit të mbetjeve dhe ndarjen e tyre nga vetë ata.
Leonard Gjançi drejtor i Drejtorisë së Menaxhimit të Kontratave, pranë Bashkisë Korçë e konsideron të suksesshëm këtë projekt të nisur fillimisht në lagjet 1, 2, 3, 11, e 12, pasi tashmë është duke u shtrirë edhe në lagjet 4, 5 e 13.
Mendohet që projekti të shtrihet edhe në zona të tjera të qytetit të cilat janë kryesisht me pallate duke dedikuar kazanë plastikë për hedhjen e mbetjeve të riciklueshme. Një gjë e tillë sipas bashkisë së Korçës bëhet edhe për të arritur direktivat europiane, sipas të cilave kërkohet që në fund të 2025 të riciklohen 10% e mbetjeve.