• Korça

Korça e preferuar nga turistët edhe në dimer, një grup turistësh nga Greqia vizituan Korçën këtë fundjavë

Një grup turistësh nga Greqia janë ndalur këtë fundjavë në Korçë duke vizituar pikat më tërheqëse të qytetit por edhe të fshatrave përreth. Ata janë ndalur në Voskopojë duke u njohur me historinë, kulturën dhe traditat e këtij fshati turistik e më pas kanë vizituar edhe muzetë e qytetit. Një pjesë e tyre vinin për herë të parë në Shqipëri dhe ndalesa në Korçë u ka lënë mbresa të veçanta.

“Është hera e parë që vij në Shqipëri dhe jam shumë i gëzuar sepse kisha një tjetër mendim për vendin tuaj. Këto dy ditë që vizitova Korçën kam ngelur i kënaqur dhe sigurisht që do të vij përsëri. Më ka bërë shumë përshtypje zhvillimi i turizmit dhe jam i mendimit që në të ardhmen do të bëhen të tjerë hapa të rëndësishëm. Unë jam arkitekt me profesion dhe do të më pëlqente shumë të jetoja këtu.”

“Unë jam pedagoge, jam shumë e emocionuar që kam ardhur në Korçë, do kem çfarë tju tregoj studentëve të mi. Diku edhe u përlota sepse ndihem sikur kam ardhur tek rrënjët e mia, pasi Voskopoja është vendi i lindjes së gjyshërve të mi. Korça më ka pëlqyer jashtë mase, më pëlqyen parqet, shëtitoret, rrugët, arkitektura dhe ndihem keq që nuk kam ardhur më parë ta vizitoj.”

Mes turistëve kishte edhe nga ata që nuk e kishin herën e parë që vizitonin Shqipërinë, të cilët kanë vlerësuar ndryshimet e ndodhura gjatë viteve të fundit.

“Është hera ime e 3-të që vij në Shqipëri, jam ndier shumë i mirëpritur. Më pëlqeu shumë Voskopoja nuk kisha qënë më parë aty, më ngjasoi me Irfeun e Follorinës është e njëta arkitekturë. Me pak punë dhe ide të mira Korça dhe Shqipëria kanë mundësi të zhvillohen edhe më shumë në të ardhmen.“

Grupi prej më shumë se 60 turistësh grekë ka qëndruar për dy ditë në Korçë, duke shprehur se do të rikthehen sërish pasi qytetin juglindor dhe rrethinat e tij, kanë çfarë të ofrojnë jo vetëm me bukuritë natyrore, trashëgiminë kulturore, por edhe me kulinarinë dhe mikpritjen e vendasve.

Lini një Përgjigje

Adresa juaj email s’do të bëhet publike. Fushat e domosdoshme janë shënuar me një *