Qytetarë të shumtë zgjodhën që të kremtonin Krishtlindjen në Korçë. Jo vetëm të ardhur nga qytete të ndryshme të vendit, por edhe nga shtetet fqinje si Greqia, Italia, apo edhe nga vende të tjera të Europës, dhe nga Shtetet e Bashkuara të Amerikës. Një pjesë e tyre zgjedhin të kremtojnë këtë festë pranë familjes dhe të tjerë shijojnë atmosferën e veçantë që ofon qyteti i Korçës në këtë fundvit.
Burime nga Drejtoria Vendore e Kufirit dhe Migracionit në Korçë bëjnë me dije se rreth 38 mijë shtetas shqiptarë e të huaj kanë hyrë në territorin e Shqipërisë prej fundjavës përmes pikave të kalimit kufitar të Kapshticës dhe Qafë Thanës. Pritet që fluksi i lëvizjeve në dy pikat kufitare të juglindjes të jetë i lartë edhe në ditët në vijim.