• Korça

Konkursi për Shqipërinë turistike, 2 fotografë nga qarku i Korçës marrin 3 çmime

Dy fotografë nga qarku i Korçës kanë fituar çmime në konkursin e fotografisë “Wanderlust in Albania” të zhvilluar nga Agjencia Kombëtare e Turizmit dhe Ministria e Turizmit dhe Mjedisit. Bëhet fjalë për fotografin pogradecar Ardian Fezollari, i cili ka fituar dy çmime, një në kategorinë folklor me një foto të kostumit popullor i nuses në Pogradec dhe një çmim si ambasador në promovimin e turizmit shqiptar me disa foto nga peisazhe të ndryshme në qarkun e Korçës.

Një tjetër fotograf korçar i vlerësuar me çmim ka qenë Sualdo Dino, i cili ka rrëmbyer çmimin e publikut për një foto panoramike të Korçës me borë.

Në këtë konkurs ndërkombëtar të fotografisë dhe videove reels i cili u zhvillua për herë të parë në vendin tonë kanë marrë pjesë 687 fotografë të regjistruar, mes të cilëve 519 konkurentë nga Shqipëria dhe 168 pjesëmarrës ndërkombëtarë nga 42 shtete të botës. Ata kanë shkrepur 6284 fotografi, 746 video reels, për promovimin e vendit, ndërsa çmime kanë marrë 30 prej tyre.

Vlerësimet për fituesit u bënë nga një juri e përbërë nga pesë anëtarë, tre prej të cilëve nga Shqipëria, Gjermania dhe një nga Italia. Mes fituesve pati dhe të huaj të cilët gjatë kohës që kishin vizituar Shqipërinë kishin fotografuar pamje të bukura të vendit e më pas i kishin shpërndarë në rrjetet sociale.

Lini një Përgjigje

Adresa juaj email s’do të bëhet publike. Fushat e domosdoshme janë shënuar me një *