Përfundimi me sukses i saxhove të pianos në shkollën Tefta Tashko Koço në Korçë ka sjellë idenë e organizimit të një koncerti me nxënësit më të mirë, duke i prezantuar ata në skenën e teatrit Andon Zako Çajupi. Ideja ka qenë e drejtorit të kësaj shkolle për ti nxitur edhe më tej këta nxënës të talentuar të vijojnë rrugën e bukur të artit, duke paraqitur pjesët e luajtura në provim edhe para publikut të gjerë.
Në koncertin që do jepet të pasditen e së shtunës në teatrin Andon Zako Çajupi do të performojë Ernest Tasellari, Bjorn Troja dhe Katerina Nasto. Të tre këta nxënës janë ndër më të mirët e kësaj shkolle dhe tashmë do të kenë mundësi që talentin e tyre ta shfaqin edhe për publikun artdashës të qytetit të Korçës.
Pjesë e koncertit të së shtunës do të jetë edhe një pjesë e luajtur nga nxënësit e klasës së parë të së njëjtës shkollë, të cilët edhe pse të vegjel, janë duke shfaqur talentin e tyre që në këto muaj të parë të studimeve.