Kombëtarja shqiptare vazhdon përgatitjet për ndeshjet ndaj Moldavisë dhe Ishujve Faroe, sfida këto të vlefshme për eliminatoret e Europianit “Euro 2024”. Ndeshja e parë luhet në “Air Albania” (17 qershor) dhe tri ditë më vonë kuqezinjtë udhëtojnë drejt Ishujve Faroe në transfertë. Kristjan Asllani është lojtari i fundit që i është bashkuar grupit të Sylvinhos, pas angazhimit të tij me Interin në finalen e Champions League. Ndërkohë që një ditë më parë mbërriti edhe Jasir Asani nga Koreja e Jugut.
Para çdo seance stërvitore, lojtarët kalojnë disa minuta në palestër, aty ku kryejnë ushtrime izometrike dhe fizioterapi. Trajneri Sylvinho po studion me kujdes formën e futbollistëve që ka në dizpozicion pasi kërkon të shohë se cilët do t’i përshtaten më shumë ideve të tij për ndeshjen e parë ndaj Moldavisë. Kundër një ekipi si Moldavia, e cila aplikon një skemë mbrojtëse dhe shumicën e kohës rri e tërhequr mbrapa dhe pret, do të duhet një strategji e mirë për të gjetur avantazhin.
Gjithsesi, Silvinjo nuk shqetësohet, pasi sulmi kuqezi është në formë, me pothuajse të gjithë futbollistët. Uzuni, Seferi, Cikalleshi, Asani, Muçi apo edhe Armando Sadiku të cilët kanë qenë në kontakt të vazhdueshëm me golin në kampionatet ku luajnë. Repart i kompletuar duket edhe mbrojtja, pavarësisht se mungesa e Kumbullës është e rëndësishme, por rikthimi i Gjimshtitit dhe Ismajlit dhe me shumë mundësi kalimi i Hysajt në të djathtë, japin një garanci në prapavijë.
Ajo që mbetet problem është porta, kur dy prej portierëve kryesorem Berisha dhe Strakosha kanë pasur probleme në këtë sezon që sapo u mbyll dhe nuk janë aktivizuar pothuajse fare me skuadrat e tyre. Sa i përket mesfushës, trajneri gjithashtu ka dilema të mëdha, pasi nga një numër i lartë alternativash, Silvinjo duhet të zgjedhë vetëm tre prej tyre, për t’i aktivizuar si titullarë. Atmosfera në këto ditë stërvitjesh duket e shkëlqyer dhe kuqezinjtë janë optimistë për dy rezultate pozitive në dy sfidat e qershorit
Lini një Përgjigje