51 piktorë vendas dhe të huaj do të marrin pjesë në Koloninë Ndërkombëtare Ditët e Mios që do të zhvillohet në Korçë nga 25 deri në 28 tetor. Këtë vit ky aktivitet i bashkisë së Korçës vjen në edicionin e 13-të duke ftuar emra të njohur të artit figurativ të pikturojnë vjeshtën në rajonin juglindor.
Për tre ditë më radhë piktorët vendas dhe të huaj do të pikturojnë në zona të ndryshme të Korçës duke u prezantuar më pas në ekspozitën përmbyllëse të këtij aktiviteti, ndërsa punët e tyre do të mbeten në Korçë duke iu shtuar fondit të galerisë Guri Madhi. Bashkia e Korçës synon që nga viti në vit të rrisë edhe më shumë numrin e shteteve pjesëmarrëse pasi mendon se Kolonia Ndërkombëtare Ditët e Mios është një mënyrë shumë e mirë për të prezantuar të gjithë rajonin e Korçës në arenën ndërkombëtare duke shtuar kështu edhe numrin e turistëve që çdo vit vijnë edhe më të shumtë në numër për të vizituar vende të ndryshme.