Për të katërtin vit radhazi Bashkia e Kolonjës organizon koloninë e piktorëve të vegjël. Edhe këtë vit pjesë e kolonisë së piktorëve të qarkut të Korçës janë bërë piktorë të moshës nga 8-12 vjeç, pjesa më e madhe e së cilëve kanë guxuar të hedhin në telajo ngjyrat e krijimtarisë së tyre në stinën e vjeshtës. Piktorët e vegjël janë përqendruar në punimet e tyre në vendet turistike të krahinës së njohur duke filluar nga Borova, Rehova, Sheleguri dhe Leskoviku.Te gjitha punimet e tyre do të paraqiten në ekspozitën e kësaj kolonie të veçantë që është e vetmja e kësaj moshe në vendin tonë.
Në koloninë e këtij viti të piktorëve të vegjël kanë marrë pjesë 25 piktorë, pjesa më e madhe e të cilëve janë nga Korça. Pjesë e kësaj kolonie janë bërë edhe piktorë të cilët kanë ardhur nga shkolla të ndryshme të fshatrave të bashkive të juglindjes së vendit.