Klub futboll Devolli ka nisur të mendojë për sezonin e ri ku edhe këtë edicion që pritet të nisë në muajin shtator, ata do të garojnë në grupin B të Kategorisë së Dytë. Drejtuesit e Bashkisë Devoll janë duke konsoliduar fillimisht stafin e sezonit të ri dhe shumë shpejt do të nisin përgatitjet. Dështimi në sezonin e kaluar ku pavarësisht investimeve dhe merkatos cilësore, nuk arritën të ngjiteshin në Kategorinë e Parë, ka bërë që drejtuesit e klubit të mos nxitohen dhe ta mendojnë me qëtësi plotësimin e organikës së ekipit apo edhe të stafit teknik. Kryetari i Bashkisë, Eduart Duro, në mikrofonin e RTSH Korçës shprehet se Devolli do jetë edhe në kampionatin e ardhshëm një ekip me ambicie.
Teksa skuadra e parë është në pritje të nisjes së përgatitjeve, në Devoll vijon normalisht stërvitja me ekipet e moshave. Janë disa ekipe zinxhire të cilat stërviten rregullisht dhe femijë të vegjel ushqejnë brenda vetes dëshirën që një ditë të veshin fanellën e ekipit të parë të Devollit dhe pse jo të synojnë një karrierë të suksesshme.
Klub futboll Devolli prej vitesh vijon të jetë një nga ekipet më të forta në Kategorinë e Dytë, ndërsa si çdo sezon edhe kësaj here, objektiv i klubit do të jetë ngjitja në Kategorinë e Parë.