• Lajme kombëtare

Kërkimi shkencor. Thirrje për bashkëpunimin universitet – biznes

Shpallet thirrja e parë për projekte bashkëpunimi Universitet-Biznes për kërkimin shkencor. Kjo thirrje është bërë publike nga Ministrja e Arsimit dhe Sportit Evis Kushi e cila permes rrjeteve sociale lajmeroi se aplikimet janë tashmë të hapura për kërkimin shkencor, dedikuar bashkëpunimit universitet – biznes. Sipas ministres Kushi bashkëpunimi universitet-biznes në aktivitete të kërkimit shkencor është një mekanizëm që prodhon njohuri, produkte dhe shërbime të reja. Prandaj për herë të parë, u shpall thirrja për financimin e projekteve të përbashkëta të kërkimit shkencor, mes universiteteve dhe biznesit, e cila do të jetë e hapur deri në datën 28 prill 2023.

Kjo thirrje përfshin edhe projektet në kuadër të programit EUREKA të BE-së, si rrjeti më i rëndësishëm ndërkombëtar për bashkëpunim në aktivitete të kërkim zhvillimit dhe inovacionit, ku Shqipëria bën pjesë që prej vitit 2021, së bashku me 45 shtete të tjera. Ministria thekson se këto projekte nxisin më tej zhvillimin e biznesit, njohjen më të mirë të tregut, identifikimin dhe zgjidhjen e problematikave të ndryshme që mund t’i shfaqen biznesit sidomos në këtë kohë krize. Gjithashtu projektet e financuara ofrojnë mundësi studimi dhe hapjeje të tregjeve të reja, nxisin iniciativat për produkte dhe shërbime të reja, zhvillimin e teknologjive të reja, shkëmbim eksperience, etj.

Krahas përfitimeve që kanë bizneset pjesëmarrëse në kërkim shkencor, edhe studentët kanë përfitimin e tyre, pasi kjo është një mundësi mjaft e mirë për tu bërë pjesë e punës kërkimore shkencore në laboratorë realë, që janë vetë bizneset. Në faqen zyrtare të Agjencisë Kombëtare të Shoqërisë së Informacionit janë publikuar tashmë edhe detajet për thirrjen, si dhe udhëzuesi për projektet e teknologjisë dhe inovacionit.

Lini një Përgjigje

Adresa juaj email s’do të bëhet publike. Fushat e domosdoshme janë shënuar me një *