Një avokate në qytetin e Korçës, dyshohet se është kërcënuar dhe kanosur nga një person, të cilin kjo shtetase e përfaqësonte në disa procese gjyqësore për pronat. Uniformat blu bëjnë me dije se avokatja është kërcënuar nga klienti i saj me një armë sportive (pistoletë pneumatike).
Pas kësaj, gjithmonë sipas policisë, ai i ka hequr lirinë në zyrën e saj. Materialet janë referuar në Prokurorinë e Korçës dhe nisur procedimi në gjendje të lirë për shtetasin N. Ç., banues në Korçë. Nuk dihen shkaqet që e kanë shtyrë këtë shtetas të kanoste me armë avokaten e tij.
Njoftimi i Policisë
“Specialistët për Hetimin e Krimeve të Komisariatit të Policisë Korçë referuan materialet në Prokurori ku filloi procedimi në gjendje të lirë për shtetasin N. Ç., banues në Korçë, pasi dyshohet se ka kanosur me një armë sportive (pistoletë pneumatike) dhe i ka hequr lirinë në zyrën e saj, një avokateje, të cilën ky shtetas e kishte përfaqësuesen e tij ligjore në disa procese gjyqësore të zhvilluara për çështje pronësie. Materialet procedurale i kaluan prokurorive të rretheve gjyqësore Korçë dhe Pogradec, për veprime të mëtejshme.”