Është mbajtur për herë të parë në Pogradec një koncert recital i Ansamblit Shtetëror të Këngëve dhe Valleve Popullore. Koncerti i titulluar “Këndojmë me Orkestrën e Ansamblit” bëri bashkë qytetarë pogradecarë dhe turistë të shumtë të cilët shijuan nga afër repertorin më të spikatur të muzikës instrumentale të orkestrës së ansamblit, të sjellë në një formë krejtësisht origjinale, duke u integruar edhe me këndimin e orkestrës. Për solistet ishte një kënaqësi e veçantë të performonin në qytetin liqenor të Pogradecit i cili njihet për mikrpitjen dhe bujarine e qytetarëve.
Për drejtuesin e orkestrës së ansamblit popullor Alban Tahiri ky koncert recital shënoi suksesin e radhës pas atij të Tiranës edhe pse me një grup të përgjysmuar për shkak të impenjimeve të ansamblit.
Ansambli Kombëtar i Këngëve e Valleve Popullore ose Ansambli Popullor, është krijuar në vitin 1957 si ansambël profesionist. Ky ansambël përbëhet nga solistët këngëtarë, orkestrina, grupi i valleve dhe kori. Qëllimi i ansamblit është në përpunimin, zhvillimin dhe përhapjen e thesarit folklorik të Shqipërisë.