Ka nisur puna për pastrimin e kanalit vaditës Dunavec-Ventrok. Ndërhyrja e cila po kryhet nga Drejtoria Rajonale e Ujitje-kullimit parashikon largimin e bimësisë dhe mbetjeve të ndryshme, në 15 km gjatësi. Drejtori Gentian Aliçkolli bën me dije se që prej një jave ka nisur puna nga pjesa e fushës së fshatit Porodinë për të vijuar në drejtim të Lumalasit. Kjo ndërhyrje do të lehtësojë punën e fermerëve gjatë muajve të verës kur iu duhet të kryejnë vaditjen e tokave për të pasur një prodhim të mirë. Fermerët e zonës shprehen të kënaqur për këtë ndërhyrje
Deri tani është pastruar rreth 3 km kanal ndërsa është parashikuar që puna të zgjasë 22 ditë. Kjo Drejtori ka ndërhyrë edhe për pastrimin e një përroi që përshkonte tokat bujqësore të fshatit Belorta dhe si shkak i bllokimit, sillte përmbytje si edhe për pastrimin e përroit që përshkon fshatin Voskop, i cili gjithashtu shfaqte problematika të kësaj natyre.