Është bërë traditë që gjatë verës, Mitropolia e Shenjtë Korçë të organizojë kampe për fëmijë të grupmoshave të ndryshme. Me bekimin e vetë Mitropolitit Hirësisë së Tij Imzot Joan Pelushi, është duke u organizuar kampi i dytë veror ditor për fëmijë të moshës 7 deri 14 vjeç. Programi i kampit është hartuar në atë mënyrë që fëmijët edhe të edukohen me vlerat e krishtera, por edhe të argëtohen përgjatë këtyre ditëve. Kampi i cili zhvillohet tek Manastiri i “Shën Marisë’ në fshatin Boboshticë, ka bërë bashkë më shumë se 50 fëmijë.
Për fëmijët shpenzimi i kohës me miqtë e tyre dhe gjetja e miqve të rinj e bën edhe më interesante kohën e kampit.
Gjatë kohës së kampit fëmijët organizojnë lojëra të ndryshme edukative dhe argëtuese, duke kaluar një kohë cilësore me bashkëmoshatarët e tyre. Ndërkohë që gjatë muajit gusht pritet të organizohet një tjetër kamp veror kësaj here me të rinj gjimnazistë.