Është hapur në ambjentet e Qytezës së fëmijëve, kampi veror “Ngjyrat e Qytezës”. 100 fëmijë janë bërë pjesë e këtij kampi, ku do të kalojnë kohë cilësore duke zhvilluar një sërë lojrash argëtuese dhe edukative. Koordinatori i projekteve të qytezës së fëmijëve Stefan Simaku bën me dije se kampi është ndarë në 4 stacione ku do të zhvillohen aktivitete të ndryshme.
Disa prej aktiviteteve që fëmijët kanë zhvilluar në ditët e para të këtij kampi janë loja e ndërtuesve të magneteve, gjuajmë dhe fitojmë, zbulojmë qytetet e Shqipërisë, realizimi i pikturave në telajo, mësimi i të drejtave të tyre, etj. Fëmijët shprehen të kënaqur që janë bërë pjesë e kampit ndërsa thonë se do të krijojnë dhe miqësi të reja.
Kampi veror “Ngjyrat e Qytezës” do të zgjasë për 3 javë deri në datën 7 korrik dhe çdo fëmijë i interesuar, mund të bëhet pjesë e tij kundrejt një pagese.