• Pogradec

Kampi i 51-të Rajonal i Restaurimit. Këtë vit kampi do të shtrihet në Rajonin e Liqenit të Ohrit

Kampet Rajonale të Restaurimit rikthehen sërisht nga datat 10 deri më 22 Shtator. Kampi i 51-të këtë vit vjen me temën “Dokumentimi i vendeve historike me teknologji të shekullit XXI-të”, duke përdorur drone dhe fotogrametri për të prodhuar ortofotografi dhe harta topografike për një Sistem Informacioni Gjeografik të pronës së Trashëgimisë Botërore të Rajonit të Ohrit, i njohur për pasuritë e tij magjepsëse natyrore dhe kulturore. Personat që do të bëhen pjesë e kampit do të kenë mundësi të merren me dokumentimin e disa prej aseteve të listuara të Trashëgimisë Botërore të UNESCO-s së këtij rajoni, përmes ndihmës së ekspertëve ndërkombëtarë dhe vendas mbi dokumentimin klasik dhe digjital. Burime në Drejtorinë Rajonale të Trashëgimisë Kulturore në Korçë bëjnë me dije se në datat 16 deri në 22 shtator, kampi do të përqëndrohet në Pogradec, konkretisht në lagjen historike të tij, në Bazilikën e Linit si dhe në Kalanë e qytetit. Qëllimi i këtyre kampeve është vlerësimi dhe dokumentimi i kësaj pasurie, si dhe mbledhja dhe integrimi i këtyre të dhenave në një sistem Informativ Gjeografik. Ky dokumentacion do t’u mundësojë institucioneve vendore të kuptojnë, monitorojnë dhe mirëmbajnë monumentet, duke shërbyer edhe si burim për ndërhyrjet e ardhshme restauruese dhe praktikat e ruajtjes së trashëgimisë sonë kulturore. Rajoni i Liqenit të Ohrit është i njohur për veçoritë e tij të jashtëzakonshme, është një nga liqenet më të vjetër në Europë me një biodiveristet unik që e bën atë një burim të rëndësishëm të trashëgimisë natyrore. Duke e njohur rëndësinë e tij, pjesa e Maqedonisë së Veriut e liqenit u përfshi në listën e Trashëgimisë Botërore të UNESCO-s në 1979, e ndjekur nga përfshirja e palës shqiptare në 2019.

Lini një Përgjigje

Adresa juaj email s’do të bëhet publike. Fushat e domosdoshme janë shënuar me një *