• Lajme kombëtare

“Ka shkelur rregulloren e Kuvendit”/ Kërkesa e plotë e PD për shkarkimin e Lindita Nikollës

Partia Demokratike më 31 janar dorëzoi zyrtarisht në Këshillin e Legjislacionit në Kuvend kërkesën kërkesën për nisjen e procedurës për shkarkimin e Kryetares së Parlamentit, Lindita Nikolla, kërkesë e cila mban firmat e 28 deputetëve.

Në kërkesën e deputetëve, renditen sipas opozitës, shkeljet që Nikolla ka kryer gjatë drejtimit të seancave plenare.

Kërkesa për shkarkimin e Nikollës u bë pas seancës së pazakontë parlamentare të 26 janarit 2023. Gjatë seancës Sali Berisha me përkrahësit e tij bllokuan Foltoren e Kuvendit duke mos lejuar që të tjerët të mund të mbanin disktutime.

Nga ana tjetër grupi parlamentar i PD i drejtuar nga Enkelejd Alibeaj kërkoi që kryeministri Edi Rama të ishte prezent për t’u përgjigjur për çështjen McGonigalin.

Kjo bëri që Lindita Nikolla të kalonte për votim ligjet në rendin e ditës vetëm me votat e mazhorancës dhe të mbyllte seancën pa diskutime, veprim ky i cili u konsideruar nga PD si minim i demokracisë dhe shkelje e rregullores, duke kërkuar shkarkimin e kryeparlamentares.

Zbardhet kërkesa e deputetëve të Partisë Demokratike drejtuar Këshillit të Legjislacionit për shkarkimin nga detyra të kryetares së Kuvendit Lindita Nikolla.

RAPORTI PËRFUNDIMTAR I KËSHILLIT PËR LEGJISLACIONIN LIDHUR ME KËRKESËN E 1/5 SË DEPUTETËVE TË GRUPIT PARLAMENTAR TË PARTISË DEMOKRATIKE “PËR SHKARKIMIN E KRYETARES SË KUVENDIT TË SHQIPËRISË, ZNJ. LINDITA NIKOLLA”

I.HYRJE

  1. Në datën 31.01.2023, protokolluar nga Kuvendi me nr. 347 prot., 28 (njëzet e tetë) deputetë të Grupit Parlamentar të Partisë Demokratike, 1/5 e anëtarëve të Kuvendit të Shqipërisë, kanë dorëzuar një kërkesë me objekt: “Kërkesë për shkarkimin e Kryetares së Kuvendit të Shqipërisë, Znj. Lindita Nikolla”. Në përmbajtje të kësaj kërkese argumentohet gjërësisht se Znj. Lindita Nikolla, në cilësinë e Kryetares së Kuvendit të Shqipërisë, ka vepruar në shkelje të nenit 76 të Kushtetutës dhe neneve 46, 90, 96 të Rregullores së Kuvendit, pasi në seancën plenare të datës 26.01.2023, ka shkelur një sërë të drejtash të deputetëve.
  2. Pas depozitimit të kësaj kërkese, në datën 06.02.2023, Shërbimet e Kuvendit kanë njoftuar anëtarët e Këshillit të Legjislacionit për zhvillimin e mbledhjes së Këshillit të Legjislacionit në datë 08.02.2023, ora 11:00, me rend dite: “1. Shqyrtimi i kërkesës së 1/5 së deputetëve të Grupit Parlamentar të Partisë Demokratike “Për shkarkimin e Kryetares së Kuvendit të Shqipërisë, Znj. Lindita Nikolla. 2. Caktimi i relatorëve.”.
  3. Këshilli për Legjislacionin ka zhvilluar vetëm një mbledhje në datën 08.02.2023, ku secili prej anëtarëve të këtij Këshilli, ka pasur mundësi për të diskutuar dhe paraqitur qëndrimin e tij. Në përfundim të mbledhjes, është vendosur caktimi i dy relatorëve, përkatësisht Z. Gazment Bardhi dhe Znj. Etilda Gjonaj. Mbledhja e rradhës është caktuar në datën 10.02.2023, gjatë të cilës relatorët do të paraqisnin raportin përfundimtar të Këshillit. Në zbatim të këtij vendimi, deputeti Z. Gazment Bardhi ka përgatitur raportin përfundimtar.

II.RRETHANAT E CËSHTJES

  1. Me urdhërin nr. 4, datë 24.01.2023, kryetarja e Kuvendit, Znj. Lindita Nikolla ka urdhëruar: “I. Mbledhjen e Kuvendit në seancën plenare të datës 26.01.2023, ora 11:00. II. Rendi i ditës i seancës plenare është si më poshtë:…; III. Ngarkohen shërbimet e Kuvendit për publikimin e rendit të ditës të seancës plenare, njoftimin e anëtarëve të Kuvendit me anë të mjeteve të komunikimit elektronik, si dhe përgatitjen e dokumentacionit parlamentar që do të shqyrtohet. IV. Ky urdhër hyn në fuqi menjëherë.”.
  2. Në përmbajtje të rendit të ditës ishte miratimi i procesverbalit të seancës plenare të datës 16.01.2023, njoftime, dy pyetje për ministren e Arsimit dhe Sporteve nga deputetja Erisa Xhixho, interpelancë me ministren e Kulturës nga deputetja Ina Zhupa, miratimi i një akti normativ, pesë projektligje, tre projektvendime dhe diskutime për cështje jashtë rendit të ditës.
  3. Urdhëri për zhvillimin e seancës plenare, së bashku me rendin e ditës, iu është njoftuar deputetëve nëpërmjet postës elektronike zyrtare nga Znj. Adelaida A. Hakani, me detyrë drejtor i Shërbimit të Seancës Plenare, në datën 24.01.2023, ora 15:25.
  4. Pas njoftimit të urdhërit dhe rendit të ditës, deputetët janë regjistruar në sekretari për të diskutuar për cështjet e përfshira në rendin e ditës. Nga dokumenti i shpërndarë nga sekretaria për grupet parlamentare dhe mediat në datën 26.01.2023, ora 11:37, rezulton se ishin regjistruar për të diskutuar 43 deputetë për pikën 6; 11 deputetë për pikën 7; 9 deputetë për pikën 8; 5 deputetë për pikën 10; 5 deputetë për pikën 11; 7 deputetë për pikën 12; 2 deputetë për pikën 13; 2 deputetë për cështje jashtë rendit të ditës.
  5. Në seancën plenare të datës 26.01.2023, të filluar në orën 11:17, kryetarja e Kuvendit, Znj. Lindita Nikolla ka njoftuar rendin e ditës dhe më pas ka filluar diskutimi sipas pikave të rendit të ditës. Kryetari i Grupit Parlamentar të PD-së, Z. Enkelejd Alibeaj ka kërkuar që, në mbështetje të nenit 47, pika 1 të Rregullores së Kuvendit, të ishte i pranishëm kryeministri në seancën plenare. Kjo kërkesë nuk është marrë parasysh dhe më pas një grup deputetësh kanë parashtruar kërkesën për ndryshimin e rendit të ditës, duke kërkuar që të përfshihet në rendin e ditës diskutimi për cështjen penale të ish-agjentit të FBI-së, Charles McGonigal. Ky propozim është rrëzuar me shumicë votash nga Grupi Parlamentar i Partisë Socialiste.
  6. Duke qenë se ndaj kërkesës së bërë nga kryetari i Grupit Parlamentar të PD-së, nuk ka pasur asnjë përgjigje, deputetët e pakicës parlamentare kanë kërkuar në mënyrë të përsëritur praninë e kryeministrit në sallën e seancës plenare. Kryetarja e Kuvendit, duke iu mohuar të drejtën për pyetje deputetes Znj. Erisa Xhixho dhe të drejtën për interpelancë deputetes Znj. Ina Zhupa, ka filluar me diskutimin e projektligjeve. Lidhur me projektligjet dhe projektvendimet, kryetarja e Kuvendit nuk i ka dhënë asnjë deputeti, që kishte regjistruar emrin për diskutim në sekretari, të drejtën për të diskutuar. Pas një prezantimi të shkurtër të projektligjeve nga ministrat, është proceduar me votimin e tyre nga deputetët e Grupit Parlamentar të Partisë Socialiste.
  7. E njëjta sjellje e kryetares së Kuvendit është përsëritur edhe në seancën plenare të datës 02.02.2023, e cila duke iu mohuar të drejtën për interpleancë 7 (shtatë) deputetëve të Grupit Parlamentar të Partisë Demokratike dhe të drejtën e fjalës deputetëve që kishin regjistruar emrin për diskutim në sekretari, ka proceduar me votimin e projektligjeve vetëm nga deputetët e Grupit Parlamentar të Partisë Socialiste. Përsëritja e të njëjtës sjellje në dy seanca rradhazi, duke shkelur në mënyrë flagrante të drejtat e deputetëve, është provë e qartë se shkeljeve të rënda kushtetuese dhe të Rregullores, të konsumuara nga Znj. Lindita Nikolla.
  8. E DREJTA E APLIKUESHME
  9. Kushtetuta e Republikës së Shqipërisë:

(i) Neni 75 parashikon se: “1. Kuvendi zgjedh dhe shkarkon Kryetarin e vet. 2. Kuvendi organizohet dhe funksionon sipas rregullores së miratuar nga shumica e të gjithë anëtarëve.”.

(ii) Neni 76 parashikon se: “1. Kryetari kryeson debatin, drejton punimet, siguron respektimin e të drejtave të Kuvendit dhe të anëtarëve të tij, si dhe përfaqëson Kuvendin në marrëdhëniet me të tjerët.”.

(iii) Neni 80 parashikon se: “1. Kryeministri dhe cdo anëtar tjetër i Këshillit të Ministrave është i detyruar t’u përgjigjet interpelancave dhe pyetjeve të deputetëve brenda tri javëve.”.

  1. Rregullorja e Kuvendit:

(i) Neni 7 parashikon se: “1. Kryetari i Kuvendit përfaqëson Kuvendin, siguron respektimin e të drejtave të Kuvendit dhe anëtarëve të tij. Ai kujdeset për zhvillimin e veprimtarisë parlamentare, në përputhje me Kushtetutën dhe Rregulloren e Kuvendit, si dhe për sigurimin e kushteve të nevojshme Kuvendit dhe strukturave të tij. 2. Në përputhje me Rregulloren e Kuvendit, Kryetari u jep fjalën deputetëve dhe anëtarëve të Këshillit të Ministrave, drejton dhe moderon në mënyrë të paanshme debatet, siguron rendin në seancë plenare, cakton rradhën e votimeve dhe njofton rezultatin e tyre.”.

(ii) Neni 46 parashikon se: “1. Cdo deputet që dëshiron të diskutojë për një cështje të përfshirë ose të papërfshirë në rendin e ditës duhet të regjistrohet në sekretari para fillimit të seancës plenare. Lista e diskutuesve të regjistruar i bëhet e njohur deputetëve në fillim të seancës plenare. 5. Deputeti, i cili kur i jepet fjala nga drejtuesi i seancës, nuk është në sallë, konsiderohet se ka hequr dorë nga diskutimi. 6. Drejtuesi i seancës u jep fjalën diskutuesve, sipas regjistrimit paraprak, duke harmonizuar pjesëmarrjen për cdo grup parlamentar. Kur lista e diskutuesve ka përfunduar ose nuk e kërkon më fjalën ndonjë deputet tjetër, Kryetari u jep fjalën kryetarëve ose përfaqësuesve të grupeve parlamentare, duke filluar nga grupi më i vogël në numër.”.

(iii) Neni 48 parashikon se: “1. Cdo deputet ka të drejtë të flasë jo më shumë se 10 minuta, me përjashtim kur në Rregullore parashikohet ndryshe.”.

(iv) Neni 66 parashikon se: “1. Në rast se në sallën e seancës plenare, cenohet seriozisht rendi i punimeve, shkaktohet kaos dhe nuk merren parasysh kërkesat për mbajtjen e rregullit, drejtuesi i seancës plenare lë vendin e tij dhe seanca plenare quhet e pezulluar. 2. Në rast se pas rifillimit të seancës plenare, kaosi vazhdon përsëri, drejtuesi i seancës plenare e pezullon seancën për një kohe të caktuar ose e mbyll atë. 3. Në rast mbyllje të seancës plenare, Kuvendi mblidhet në seancën plenare më të parë me të njëjtin rend dite.”.

(v) Neni 90 parashikon se: “1. Cdo deputet ka të drejtë t’i bëjë pyetje Kryeministrit ose cdo anëtari tjetër të Këshillit të Ministrave. Deputetët ia paraqesin pyetjet Kryetarit të Kuvendit, i cili vë në dijeni anëtarin e Këshillit të Ministrave, të cilit i drejtohet pyetja.”.

(vi) Neni 92 parashikon se: “1. Në fillim të cdo seance plenare, të paktën 45 minuta i kushtohen seancës së pyetjeve, me përjashtim të rastit kur në kalendarin e punimeve është përcaktuar ndryshe. Anëtari i Këshillit të Ministrave është i detyruar t’u përgjigjet pyetjeve në fillim të cdo seance plenare. Kryeministri, një herë në javë, është i detyruar t’u përgjigjet pyetjeve për 30 minuta.”.

(vii) Neni 96 parashikon se: “1. Interpelancë është kërkesa me shkrim drejtuar Kryeministrit, Zëvëndëskryeministrit ose cdo anëtari tjetër të Këshillit të Ministrave, për të marrë shpjegime për motivet, synimet dhe qëndrimin e Këshillit të Ministrave ose lidhur me aspekte të rëndësishme të veprimtarisë së tyre. 5. Deputeti që ka paraqitur interpelancën, ka të drejtë ta shpjegojë atë jo më shumë se 7 minuta pas deklarimit jo më shumë se 20 minuta të anëtarit të Këshillit të Ministrave, të cilit i është drejtuar interpelanca, të shprehë për jo më shumë se 15 minuta arsyet nëse është i kënaqur ose jo me përgjigjen e dhënë. Pas përfundimit të fjalës së deputetit, ka të drejtë të flasë ministri dhe pas tij deputeti që ka paraqitur interpelancën për jo më shumë se 3 minuta secili.”.

(viii) Neni 114 parashikon se: “4. Kërkesa për shkarkimin e Kryetarit të Kuvendit paraqitet sipas pikës 1 të këtij neni dhe shqyrtohet nga Këshilli për Legjislacionin, i cili paraqet raportin përkatës në seancë plenare. Në rast se kërkohet, Këshilli për Legjislacionin dhe Kuvendi në seancë plenare janë të detyruar të dëgjojnë Kryetarin e Kuvendit. Në këtë rast seanca plenare drejtohet nga Zëvëndëskryetari që i përket shumicës parlamentare.”.

IV.ANALIZA LIGJORE

  1. Kushtetuta e Shqipërisë ka sanksionuar si një ndër parimet themelore, në pjesën e saj të parë se “Shqipëria është Republikë parlamentare” (shih nenin 1, pika 1). Ky parim është një tregues i fortë i rëndësisë që ka institucioni i Kuvendit për Republikën tonë, i cili mishëron në vetvete një prej tre pushteve të sistemit të qeverisjes, përkatësisht pushtetin legjislativ (shih nenin 7). Pikërisht për shkak të kësaj rëndësie, kushtetutbërësi i ka dedikuar një pjesë të vecantë normimit të Kuvendit, i cili përbëhet nga katër krerë dhe 21 dispozita (shih nenet 64 – 85).
  1. Në Kreun III “Organizimi dhe Funksionimi”, Kushtetuta ka përcaktuar disa prej rregullave themelore për mënyrën e organizimit dhe funksionimit të Kuvendit (shih nenet 74 – 80). Rregulla më të detajuara lidhur me organizimin dhe funksionimin e Kuvendit përcaktohen në Rregulloren, e miratuar nga shumica e të gjitha anëtarëve (shih nenin 75, pika 2). Ndër të tjera, Kushtetuta ka parashikuar në nivelin e autoriteteve kushtetuese, Kryetarin e Kuvendit, i cili zgjidhet dhe shkarkohet nga Kuvendi (shih nenin 75, pika 1). Ky i fundit ka një sërë të drejtash dhe përgjegjësish, disa prej të cilave të normuara nga Kushtetuta, dhe pjesa më e madhe nga Rregullorja e Kuvendit.
  1. Konkretisht, Kushtetuta ka përcaktuar se Kryetari i Kuvendit kryeson debatin, drejton punimet, siguron respektimin e të drejtave të Kuvendit dhe të anëtarëve të tij, si dhe përfaqëson Kuvendin në marrëdhëniet me të tjerët (shih nenin 76, pika 1). Kompetenca më të detajuara janë parashikuar në Rregulloren e Kuvendit. Përkatësisht, Rregullorja parashikon se Kryetari i Kuvendit përfaqëson Kuvendit, siguron respektimin e të drejtave të Kuvendit dhe anëtarëve të tij. Ai kujdeset për zhvillimin e veprimtarisë parlamentare, në përputhje me Kushtetutën dhe Rregulloren e Kuvendit. Në përputhje me Rregulloren, Kryetari u jep fjalën deputetëve dhe anëtarëve të Këshillit të Ministrave, drejton dhe moderon në mënyrë të paanshme debatet, siguron rendin në seancë plenare, cakton rradhën e votimeve dhe njofton rezultatin e tyre (shih nenin 7, pikat 1 dhe 2).
  1. Megjithëse, Kryetari i Kuvendit zgjidhet me votat e shumicës parlamentare, për shkak të detyrave dhe përgjegjësive që ai ushtron, Kushtetuta dhe Rregullorja imponojnë një sjellje të paanshme dhe të pavarur në mënyrën e ushtrimit të funksioneve të Kryetarit të Kuvendit, duke siguruar zhvillimin e rregullt të veprimtarisë parlamentare dhe respektimin e të drejtave të deputetëve. Nëse Kryetari i Kuvendit do të shndërrohej në mbrojtës të shumicës parlamentare që e ka zgjedhur, atëherë ai do të devijonte nga roli që Kushtetuta dhe Rregullorja i ka dhënë.
  1. Duke u kthyer në rastin konkret, rezulton se Kryetarja e Kuvendit, Znj. Lindita Nikolla, në mënyrë të njëanshme dhe me qëllim mbrojtjen politike të Kryeministrit, në seancën plenare të datës 26.01.2023, ka shkelur një sërë të drejtash të deputetëve të Kuvendit, në shkelje të rëndë të Kushtetutës dhe Rregullores së Kuvendit. Konkretisht, Kryetarja e Kuvendit, Znj. Nikolla iu ka mohuar deputetëve të drejtën për pyetje, të drejtën për interpelancë dhe të drejtën për të diskutuar lidhur me cështjen e rendit të ditës dhe jashtë rendit të ditës. Në vijim, do të analizojmë shkeljet konkrete të kryera nga ana e kryetares së Kuvendit, Znj. Lindita Nikolla.
  1. Shkelja nr. 1: Kushtetuta e Shqipërisë sanksionon të drejtën e cdo deputeti për t’i drejtuar pyetje kryeministrit ose anëtarit të Këshillit të Ministrave (shih nenin 80, pika 1). I njëjti parashikim gjendet edhe në Rregulloren e Kuvendit (shih nenin 90, pika 1). Më tej, Rregullorja përcakton se Kryeministri dhe anëtarët njoftohen për pyetjet e bëra dhe janë të detyruar t’u përgjigjen brenda 3 javëve nga paraqitja e tyre (shih nenin 91, pika 2), në fillim të seancës plenare (shih nenin 92, pika 1). Kushtetuta e Shqipërisë parashikon se kryetari i Kuvendit siguron respektimin e të drejtave të Kuvendit dhe anëtarëve të tij (shih nenin 76). Duke i mohuar të drejtën për pyetje deputetes Znj. Erisa Xhixho, kryetarja e Kuvendit, Znj. Lindita Nikolla ka vepruar në shkelje të rëndë të nenit 76, 80 të Kushtetutës dhe nenit 90 të Rregullores së Kuvendit.
  1. Shkelja nr. 2: Kushtetuta e Shqipërisë sanksionon të drejtën e cdo deputeti për të zhvilluar interpelancë me kryeministrin dhe cdo anëtar të Këshillit të Ministrave (shih nenin 80, pika 1). I njëjti përcaktim gjendet edhe në Rregulloren e Kuvendit (shih nenin 96, pika 1). Më tej, Rregullorja parashikon se deputeti, që ka kërkuar interpelancën, i jepet e drejta e fjalës për 7 minuta, dhe pas deklarimit të anëtarit të Këshillit të Ministrave, deputeti e merr sërish fjalën për 15 minuta (shih nenin 96, pika 5). Kushtetuta e Shqipërisë parashikon se kryetari i Kuvendit siguron respektimin e të drejtave të Kuvendit dhe anëtarëve të tij (shih nenin 76). Duke i mohuar të drejtën për interpelancë deputetes Znj. Ina Zhupa, kryetarja e Kuvendit, Znj. Lindita Nikolla ka vepruar në shkelje të rëndë të nenit 76, 80 të Kushtetutës dhe nenit 96 të Rregullores së Kuvendit.
  1. Shkelja nr. 3: Rregullorja e Kuvendit sanksionon se cdo deputet që dëshiron të diskutojë për një cështje të përfshirë ose të papërfshirë në rendin e ditës, duhet të regjistrohet në sekretari para fillimit të seancës plenare. Vetëm kur deputeti nuk është i pranishëm në sallë konsiderohet se ai ka hequr dorë nga diskutimi. Pasi përfundon lista e diskutuese, u jepet fjala kryetarëve ose përfaqësuesve të grupeve parlamentare (shih nenin 46). Deputeti ka të drejtë të flasë për 10 minuta, me përjashtim të rasteve kur është parashikuar ndryshe (shih nenin 48). Kushtetuta e Shqipërisë parashikon se kryetari i Kuvendit siguron respektimin e të drejtave të Kuvendit dhe anëtarëve të tij (shih nenin 76). Duke i mohuar të drejtën e fjalës të gjithë deputetëve që ishin regjistruar për të diskutuar lidhur me cështjet e përfshira ose të papërfshira në rendin e ditës (shih provën nr. 4), kryetarja e Kuvendit, Znj. Lindita Nikolla ka vepruar në shkelje të rëndë të nenit 76 të Kushtetutës dhe nenit 46 të Rregullores së Kuvendit.
  1. Arsyetimi i përdorur nga ana e Znj. Nikolla dhe përfaqësuesve të shumicës parlamentare se kjo sjellje anti-Kushtetutë dhe anti-Rregullore, u imponua nga kaosi i shkaktuar në seancën plenare, është po ashtu një qëndrim që vjen në kundërshtim me Rregulloren. Konkretisht, kjo e fundit ka parashikuar se në raste të tilla, Kryetari i Kuvendit pezullon seancën dhe nëse pas rifillimit, kaosi vazhdon, atëherë Kryetari e mbyll seancën. Kuvendi duhet të mblidhet në seancën plenare më të parë me të njëjtin rend dite (shih nenin 66). Në rastin konkret, nuk rezulton që Znj. Nikolla të ketë pezulluar apo mbyllur seancën, duke konsumuar një tjetër shkelje të Rregullores.
  1. Të njëjtat shkelje, kryetarja e Kuvendit, Znj. Lindita Nikolla i ka konsumuar edhe në seancën plenare të datës 02.02.2023, duke iu mohuar deputetëve të drejtën për interpelancë me kryeministrin (shih nenin 80, pika 1 të Kushtetutës; nenin 90 pika 1 të Rregullores), dhe të drejtën për të diskutuar lidhur me cështjet e përfshira apo të papërfshira në rendin e ditës (shih nenin 46 dhe 48 të Rregullores së Kuvendit). Karakteri i përsëritur i këtyre shkeljeve tregon që nuk kemi të bëjmë me një rast të izoluar, por me një qëndrim të formësuar nga Znj. Nikolla, sa i përket drejtimit të Kuvendit në mënyrë të njëanshme dhe në shkelje të të drejtave të deputetëve. Në këto kushte, kërkesa për shkarkimin e saj, në mbështetje të nenit 114, pika 4 të Rregullores së Kuvendit, është plotësisht e bazuar dhe duhet miratuar nga Kuvendi.

V.PROCEDURA PARLAMENTARE

  1. Pas konstatimit të fakteve të sipërmendura, studimit të së drejtës së aplikueshme dhe një analize ligjore të kujdesshme, Grupi Parlamentar i Partisë Demokratike ka konkluduar se Kryetarja e Kuvendit të Shqipërisë, Znj. Lindita Nikolla ka konsumuar shkelje të rënda të Kushtetutës, përkatësisht neneve 76, 80 të Kushtetutës dhe neneve 46, 66, 90 dhe 96 të Rregullores së Kuvendit. Për këto arsye, me shkresën nr. 347 prot., datë 31.01.2023, i është drejtuar Kuvendit të Shqipërisë me një kërkesë për shkarkimin e Kryetares së Kuvendit, Znj. Lindita Nikolla.
  2. Pas dorëzimit të kësaj kërkese, Shërbimet e Kuvendit kanë njoftuar për zhvillimin e mbledhjes së Këshillit të Legjislacionit në datën 08.02.2023, me rend dite: “1. Shqyrtimi i kërkesës së 1/5 së deputetëve të Grupit Parlamentar të Partisë Demokratike “Për shkarkimin e Kryetares së Kuvendit të Shqipërisë, Znj. Lindita Nikolla”. 2. Caktimi i relatorëve.”.
  1. Në mbledhjen e datës 08.02.2023, kryetari i Grupit Parlamentar të Partisë Demokratike, Z. Enkelejd Alibeaj, në emër të përfaqësuesve ka parashtruar kërkesën, duke renditur faktet, bazën ligjore, shkeljet e pretenduara dhe kërkesën për shkarkim të Kryetares së Kuvendit, Znj. Lindita Nikolla. Në tërësi, Z. Alibeaj ka konkluduar se kërkesa përmbush të gjitha elementët nga pikëpamja formale, por edhe përmbajtësore. Nga ana e pakicës parlamentare, kanë diskutuar deputetët Znj. Dhurata Cupi, Z. Saimir Korreshi dhe Znj. Greta Bardeli, të cilët kanë mbështetur kërkesën dhe përfundimet e saj.
  1. Nga ana e deputetëve të shumicës parlamentare, kanë diskutuar deputetët Znj. Etilda Gjonaj, Znj. Klotilda Bushka, Z. Fatmir Xhafaj dhe Znj. Ermonela Felaj, të cilët kanë mbajtur qëndrim se kryetarja e Kuvendit, Znj. Lindita Nikolla nuk ka konsumuar ndonjë shkelje, e për rrjedhojë kjo kërkesë duhet rrëzuar. Sipas pretendimit të tyre, sjellja e Kryetares së Kuvendit u imponua nga sjellja e disa deputetëve të pakicës parlamentare. Megjithatë, Znj. Gjonaj dhe Z. Xhafaj kanë pranuar se edhe deputetëve të shumicës parlamentare, iu mohua e drejta e fjalës (shih fq. 15; 27 të procesverbalit). Në përfundim të mbledhjes, jancë caktuar relatorët, përkatësisht Z. Bardhi dhe Znj. Gjonaj. Nga ana e drejtueses së mbledhjes, Znj. Felaj është shprehur se kërkesa përmbush kushte formale të paraqitjes me 28 firma dhe duhet t’i shkojë deputetëve, të cilët do të shprehen me votë të fshehtë (në të njëjtën mënryë që zgjidhet Kryetarja e Kuvendit). Mbledhja e rradhës është caktuar ditën e premte, datë 10.02.2023.
  1. KONKLUZIONE
  1. Në vijim të fakteve dhe rrethanave të cështjes, të drejtës së aplikueshme dhe jurisprudencës së Gjykatës Kushtetuese, analizës ligjore dhe procedurës parlamentare të ndjekur, është e qartë se Kryetarja e Kuvendit, Znj. Lindita Nikolla ka vepruar në shkelje të rëndë të Kushtetutës dhe Rregullores së Kuvendit, duke iu mohuar deputetëve, në mënyrë të përsëritur, të drejtën për pyetje, të drejtën për interpelancë dhe të drejtën për të diskutuar për cështjen e përfshira apo të papërfshira në rendin e ditës. Ndryshe nga sa parashikon Rregullorja, ajo nuk ka pezulluar apo eventualisht mbyllur seancën, me qëllim vendosjen e rregullit, por ka proceduar me votimin e projektligjeve dhe projektvendimeve, pa asnjë diskutim.
  1. Prandaj, duke pasur parasysh sa më sipër, në mbështetje të neneve 75, pika 1 të Kushtetutës së Shqipërisë dhe nenit 114, pika 4 të Rregullores së Kuvendit, jemi të mendimit se kryetarja e Kuvendit të Shqipërisë, Znj. Lindita Nikolla duhet shkarkuar nga detyra, pasi ka kryer shkelje të rëndë dhe flagrante të neneve 76, 80 të Kushtetutës së Shqipërisë dhe neneve 46, 66, 90 dhe 96 të Rregullores së Kuvendit. Një vendimmarrje e ndryshme do të legjitimonte përdhosjen e parlamentarizmit dhe minimin e funksionimit demokratik të Kuvendit. Deputetë, që nuk arrijnë të mbrojnë të drejtat e tyre kushtetuese, është e vështirë të besohet se mund të shndërrohen në garantin e të drejtave dhe lirive themelore të qytetarëve.

/rtsh.al/

Lini një Përgjigje

Adresa juaj email s’do të bëhet publike. Fushat e domosdoshme janë shënuar me një *