Bashkia e Korçës po kryen disa ndërhyrje për mirëmbajtjen dhe përmirësimin e infrastrukturës rrugore në qytet dhe zonat rurale. Gjatë muajve të verës janë kryer një sërë ndërhyrjesh në rrugët e qytetit të Korçës, me qëllim riparimin e dëmtimeve të pësuara ndërsa tashmë puna vijon në 3 fshatra në Biranj, Bulgarec dhe Shamoll. Ndërhyrja konsiston në sistemimin e rrugëve kryesore në këto fshatra, zgjerimin e tyre, shtrimin me çakëll dhe faza përfundimtare që do të jetë asfaltimi i tyre. Aktualisht po punohet në Shamoll ku dhe banorët shprehen të kënaqur për punën që po kryhet, pasi mungesa e infrastrukturës ishte një problem shqetësues për ta që tashmë po merr zgjidhje. Njëkohësisht ata shprehin falenderimin që u janë plotësuar edhe një sërë kërkesash të tjera si sigurimi i ujit të pijshëm si dhe atij për vaditjen e kulturave bujqësore
Burime në Ndërmarrjen e Shërbimeve Publike bëjnë me dije se në këto 3 fshatra do të asfaktohet një sipërfaqe rrugësh prej 7 mijë m2 ndërsa më herët në zonat rurale është ndërhyrë edhe për pastrimin e rrugëve të parcelave ku në njësinë bulgarec janë sistemuar 7 km rrugë, 10 km në njësinë Drenovë, 14 në Mollaj dhe 4 km rrugë parcelash në Voskop.