Ikona e re e Fjetjes dhe e Ngjitjes së Marisë në Qiell u vendos solemnisht në kishën katolike të Korçës për devocionion e vazhdueshëm të besimtarëve të qytetit. Me këtë rast famullia e Kishës Katolike të qytetit së bashku me Ipeshkvinë Katolike të Shqipërisë së jugut, kanë mbajtur një meshë të veçantë. Në këtë meshë krahas klerikëve katolikë të kësaj Ipeshkvie, i pranishëm ka qënë edhe Mitropoliti i Korçës Hirësia e tij Imzot Joani, si dhe klerikë të Mitropolisë. Dom Rikardo Skorsone tha se pas 20 vitesh kisha katolike e Korçës ka pësuar një rikonstrukson të thellë, kjo si një mënyrë për të shpërblyer të gjithë kontributin e besimtarëve të kësaj famullie.
Mesha e kësaj dite është udhëhequr nga Ipeshkvi katolik i Shqipërisë së jugut Imzot Xhiovani Peraxhine, i cili duke falenderuar Mitropolitin e Korçës, Hirësinë e tij Imzot Joan Pelushin, është ndalur edhe tek bashkimi i Kishës Ortodokse dhe asaj Katolike.
Mitropoliti i Korçës Hirësia e tij Imzot Joani, ka mbajtur një meditim në meshën katolike, ku ka vënë theksin tek rëndësia e figurës së Virgjërës Mari. “Shën Maria nuk është thjesht nëna e Jesu Krishtit por e gjithë besimtarëve të krishterë” është shprehur Mitropoliti i Korçës.
Ipeshkvi i Agrixhentos Alesandro Damiano, ka folur për bashkëpunimin e kishës që ai drejton me kishën katolike të Korçës. Si pjesë e bashkëpunimit sipas tij ka qënë dhe kontributi financiar për realizimin e ikonës e re të Virgjërës Mari.
Ikona e Fjetjes dhe Ngjitjes së Hyjlindëses u realizua nga ikonografi i Kishës Ortodokse Shqiptare Pjetër Lufta, i cili për të realizuar këtë ikonë ka pasur një bashkëpunim të ngushtë me klerikët më të lartë të dy Ipeshkvive asaj italiane dhe shqiptare.
Me ikonën e re të Virgjërës Mari mbyllet përfundimisht rinovimi i godinës së kishës katolike. Mesha e parë katolike në Korçë është mbajtur në vitin 1924.