Kandidati i koalicionit “Bashkë Fitojmë” për bashkinë Devoll, Elvis Hajdërlli ka qenë në një takim elektoral në Shyec ku ka premtuar realizimin e projektit të kanalizimeve, sistemimin e rrugëve të fshatit dhe shtrimin e tyre me kalldrëm, rehabilitimin e sheshit të fshatit si dhe mundësimin e transportit të fëmijëve drejt shkollës së fshatit Tren
“Është kënaqësi të jesh në Shyec, një nga fshatrat më të bukur të Devollit, me mundësi të shumta për zhvillimin e bujqësisë, me toka pjellore e me mikroklimën më të ngrohtë, e cila dallon nga të gjitha vendbanimet e Devollit e mbi të gjitha me banorët dashamirës e njerëz të punës. Shyeci, i vogël nga madhësia por i madh nga rëndësia, mbart vlera të shumta historike dhe arkeologjike. Shtrirja e fshatit në Parkun e Prespës dhe historia e pasur e zonës përreth duhej të pasqyronin një tjetër pamje, por realiteti flet ndryshe. Ashtu sikurse finalizuam bashkë projektin e ujësjellësit, do të kisha dashur të shihja sot projekte të tjera të realizuara nga bashkia aktuale, por fatkeqësisht gjendja e fshatit paraqitet e njëjta siç ishte para 4-vitesh:
– Mungojnë kanalizimet,
– Mungon sistemimi i rrugëve të fshatit dhe shtrimi i tyre me kalldrëm
– Mungon rehabilitimi i sheshit të fshatit
– Është shumë problematik transporti i fëmijëve të shkollës drejt fshatit Tren dhe anasjelltas
– Fshati pothuajse është zbrazur
Duke ju shprehur mirënjohje e përulësi për mbështetjen tuaj, ju siguroj se pikat e parashtruara do të jenë definitive në projektet tona për Shyecin, gjatë shërbimit në bashkinë e ardhshme. Nje nga synimet tona për këtë fshat është edhe asistenca për aplikime në projektet e AZHBR-së për zhvillimin bujqësor dhe rural”, është shprehur kandidati Hajdërlli gjatë takimit me banorët e fshatit Shyec.